Nga Emin AZEMI
Nacionalizmi maqedonas i artikuluar përmes të ashtuquajturit Kongres gjithëbotëror maqedonas dhe disa shoqatave të tjera kanë protestuar sërish në mbrojtje të asaj që ata e konsiderojnë të rrezikuar. Fillimisht e ideuar si protestë kundër ndryshimit të emrit të shtetit, këta nacionalistë anakronikë gjetën kohë të merren edhe me gjuhën shqipe, duke e konsideruar këtë një rrezik të madh për vetë ekzistencën e popullit maqedonas. Në këtë protestë u dëgjuan edhe ide që kundërshtonin marrëveshjen e fundit me Bullgarinë.
Futja në një thes e të gjitha problemeve që ka aktualisht Maqedonia, është një kafshatë e madhe që nuk mund ta kapërdijë një shoqëri e tërë, e lërë më ndonjë organizatë që vepron ad-hoc, vetëm sa për të arsyetuar ndonjë donacion që marrin. Maqedonia ka shumë probleme për të zgjidhur, mirëpo e vetmja rrugë që këtë vend e bën të qëndroj në këmbë stabile, është kohezioni i brendshëm ndëretnik dhe kauzat civilizuese euro-atlantike. Në të kaluarën, por pse jo edhe aktualisht, janë provuar mënyra e metoda të hapura e të maskuara për ta devijuar kursin pro-Perëndimor të Maqedonisë dhe kjo është bërë me mbështetje të drejtpërdrejt e të tërthortë nga qarqe të brendshme, në formë lëvizjesh, shoqatash e manifestesh të ndryshme.
Mirëpo zgjedhjet e fundit lokale dëshmuan se këto përpjekje u treguan të dështuara. Shumica e qytetarëve të etnive e feve të ndryshme, votuan për ato platforma sociale e politike që ishin më afër preferencave të tyre, ndërkohë që u vërejt edhe njëfarë kohezioni politik shqiptaro-maqedonas në segmente të caktuara të gjeografisë zgjedhore.
Nacionalizmi maqedonas, i personifikuar në partinë konservatore që deri dje mbante pushtetin, po tregohet anakronik edhe për faktin se nuk po arrin të detektoj drejt problemet që i kanosen stabilitetit shtetëror, social e etnik këtij vendi të vogël në Ballkan. Ose, detektimi i problemeve po bëhet tepër selektiv, duke përdorur disa karta të djegura si adrenalinë për masat e dëshpëruara. Ndër këto karta ata po përdorin mohimin e të drejtës së përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, por pa dhënë shpjegime se si është e mundur të tregohen kaq pasiv kundrejt politikave mohuese të Athinës zyrtare ndaj identitetit shtetëror e etnik të maqedonasve.
Ky nacionalizëm kaq selektiv, që merr hov vetëm për përdorime të brendshme, për të nxitur pakënaqësi qytetare ndaj politikave të qeverisë aktuale, me kalimin e kohës do të trajtohet si “artefakt” i një mendësie retrograde që nuk pati përgjigje për shumë dilema.
Qytetarët në Maqedoni kanë arsye të protestojnë për shumë çështje, duke filluar nga situata aktuale me mospastrimin e borës nga institucionet kompetente, pastaj ndotja e ajrit, faturat e fryra të EVN-së, mungesa e kujdesit institucional për shumë raste e familje në nevojë etj. Por, protesta më profitabile vazhdon të jetë ajo që luhet në kartën etnike dhe mbi të gjitha në një kartë që aktivizon kundërshtarë të demokracisë dhe barazisë qytetare. Ndonëse e vetmuar, kjo mendësi që prodhon antagonizma të tillë në shoqëri, paraqet një sinjal të mjaftueshëm për një aktivizëm më të madh qytetar, që do të nxirrte nga inferioriteti social shumë shtresa që mendojnë njësoj por që nuk kanë mekanizma për një veprim të përbashkët.
Ballkani Perëndimor mundet edhe një kohë të pret për tu transformuar së brendshmi, sepse ky është kushti për një proces përfarues me BE-në. Në këtë kontekst edhe Maqedonia ka shumë arsye të shkëputet nga praktikat përçarëse që ishin evidente në të kaluarën. Një shoqëri stabile mund të prodhojë edhe mirëqenie rajonale, por me të vetmin kusht që ajo shoqëri të përjetohet si e barabartë nga të gjithë. (koha.mk)