Ndërtimtarët kërkojnë që shteti urgjentisht të miratojë zgjatjen deri në vitit 2023 të pagesës prej 5 për qind të tatimit për blerjen e banesës së parë, si dhe të mos ketë vonesa gjatë dhënies së lejeve të ndryshme për ndërtim. Në të kundërtën, mund të pritet ulje e madhe e aktiviteteve ndërtimore, më pak të ardhura buxhetore në emër të tatimeve, si dhe lëshime nga puna në kompanitë e ndërtimit
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 23 maj – Çështja e emrit si dhe zgjidhja e problemeve të tjera politike, si reformat në gjyqësor, media, reformat në administratën publike…, sikur kanë lënë në plan të dytë mbështetjen konkrete dhe jo vetëm në letër të afaristëve për zgjerimin e bizneseve ekzistuese, por edhe për hapjen e bizneseve të reja. Bile, një pjesë e analistëve ekonomik thonë se kemi zvarritje të madhe të hapave konkret për të lehtësuar punën e përditshme të biznesit, shkruan gazeta KOHA.
Të fundit që janë ankuar për vonesat në zgjidhjen e problemeve si burokratike ashtu edhe ato të tjera, janë ndërtimtarët që kërkojnë miratimin urgjent të zgjatjes ligjore deri në vitin 2023 të pagesës prej 5 për qind të tatimit për blerjen e banesës së parë, përqindje kjo që vlen deri më 31 dhjetor të këtij viti.
Ndërtimtarët kërkojnë gjithashtu të mos ketë vonesa gjatë dhënies së lejeve të ndryshme për ndërtim, si dhe respektimin e Planeve të Detajuara Urbanistike për projektet ndërtimore që kanë filluar të realizohen. Në të kundërtën, nga Lidhja e Odave Ekonomike e Maqedonisë kanë paralajmëruar një ulje të madhe të aktiviteteve ndërtimore, që nënkupton edhe më pak të ardhura buxhetore në emër të tatimit personal, tatimit në vlerë të shtuar, lëshime nga puna në kompanitë e ndërtimit, ulje të shitjes së materialeve ndërtimore e kështu me radhë.
Gjithashtu, sipas tyre, rrezikohet dhe ulja e punës së sektorit të ndërtimtarisë që përfshin 10 për qind të të punësuarve në shtet, si dhe kontribuon me 10 për qind në Prodhimin e Brendshëm Bruto, ndërsa ndikon në mënyrë indirekte edhe në më shumë se 26 degë të tjera. Sipas Ivica Jaqimovski, kryetar i Odës së Ndërtimtarisë pranë Lidhjes së Odave Ekonomike, kompanitë po ballafaqohen me probleme serioze administrative gjatë lëshimit të lejeve për ndërtim, të cilat në vend që për tre javë, dinë të vonohen edhe deri në 100 ditë.
Gjithashtu, të dhënat statistikore tregojnë se në mars të vitit 2017 janë lëshuar 211 leje për ndërtim, prej të cilave 119 për ndërtime të larta, 35 leje për objekte me ndërtime të ulëta dhe 57 për objekte që do të rikonstruohen, apo 45 për qind më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Nevojitet të tejkalohen obstruksionet e komunave lidhur me lëshimin e lejeve ndërtimore. Gjithashtu, mos respektimi i afateve ligjore prej 20 ditë nënkupton prolongimin e procesit të ndërtimit, që sjell edhe harxhime shtesë për kompanitë dhe qytetarët. Nevojitet të vendoset një dinamikë sipas së cilës, do të dihet saktësisht investimi i siguruar, dinamika e realizimit, mënyra e pagesës…”, thotë Jaqimovski.
Nga ana tjetër, zëvendëskryetar i Odës së Ndërtimtarisë, Zoran Azmanov, thotë se në rast se shpejt nuk miratohet prolongimi i pagesës së 5 në vend të 18 për qind të TVSH-së për blerjen e banesës së parë deri në vitin 2023, rrezikohet edhe Prodhimi i Brendshëm Bruto, si dhe të ardhurat në buxhet nga ndërtimtaria.
“Nëse sa më shpejt nuk zyrtarizohet afati kohor për këtë masë, do të kemi ulje të të ardhurave në buxhetin e shtetit në bazë të kontributeve dhe tatimit personal si rrjedhojë e uljes së punësimit në këtë sektor, pastaj do të kemi edhe ulje të të ardhurave në buxhet në bazë të TVSH-së që realizohet nga shitja e materialeve ndërtimore dhe pajisjeve tjera që vendosen në banesat e reja, ulje të tatimit në fitim për shkak të stagnimit të tregut të patundshmërisë… Gjithashtu, edhe çështja banesore e të rinjve më vështirë do të zgjidhet, ata do të ikin jashtë, ndërsa një pjesë e të hollave do të derdhet jashtë shtetit”, thotë Azmanov.
Sipas tij, afaristët e sektorit të ndërtimtarisë nevojitet që sa më parë të kenë një pasqyrë të pastër lidhur me aspektet e ndryshme të ndërtimtarisë, duke filluar nga zgjatja e afatit të pagesës së 5 në vend të 18 për qind të TVSH-së për banesën e parë për shkak se ndërtimtaria paraqet një proces që planifikohet në mënyrë afatgjate dhe jo sot për nesër.
“Nevojitet që menjëherë të zgjidhet çështja e lartpërmendur për shkak se kjo nënkupton se ndërtimtarët deri në fund të vitit 2018 nuk mund të planifikojnë investime të reja për vitin 2019, pasi biznesi nuk do të ketë mundësi që sigurt të blejë lokacione të reja për ndërtim dhe të planifikojë ndërtimin e banesave të reja”, thekson Azmanov. Ai njëherësh ka kërkuar që një vëmendje më të madhe ti kushtohet edhe ndryshimit eventual të Planeve të Detajuara Urbanistike, të cilat nuk duhet të jenë pengesë për realizimin e investimeve në sektorin e ndërtimtarisë.
Ndryshe, ndërtimtaria vitet e kaluara së bashku me konsumin e qytetarëve dhe eksportet e realizuara nga kompanitë e huaja në Zonat e lira industriale, ishin ndër mbështetësit kryesor të rritjes ekonomike në Maqedoni. (koha.mk)