Qefser ABDYLI
Shkup, 14 shkurt – Në Shuto Orizare duhet gjinekolog dhe mjek, e jo pishina që kushtojnë mbi 600 mijë euro. Kështu thuhet në një reagim drejtuar mediave nga iniciativa e ashtuquajtur “Gratë nga Shuto Orizare”, e cila ka kundërshtuar ashpër tenderin e fundit për ndërtimin e një pishine të hapur në Komunën Shuto Orizare, e të publikuar nga Agjencia për të rinjë dhe sport, me vlerë mbi 600.000 euro. Për një kohë të gjatë kjo iniciativë e grave alarmon se në Komunën Shuto Orizare nuk ka asnjë gjinekologë amë, ndërsa 8000 gra janë në periudhën reproduktive. Sipas të dhënave nga aktivitetet e përditshme të Iniciativës në terren, në Komunën Shuto Orizare për shkak të qasjes së kufizuar të kujdesit shëndetësor parësor, shpesh gratë lindin në shtëpi, pa asnjë kujdes mjekësor, me çka, shëndeti i tyre dhe i foshnjës vihet në rrezik. “Në përputhje me statistikat zyrtare, vdekshmëria e foshnjave te romët është 1.5 herë më e lartë në krahasim me qytetaret tjera, dhe me këtë vendim për pishinën dhe jo për sigurimin e gjinekologëve – është më se e sigurt se ky nivel nuk do të rritet edhe më shumë. Me këtë investim të paarsyetueshëm, shëndeti reproduktiv i romeve dhe këtë herë anashkalohet, ndërsa gjendja socio-ekonomike e qytetarëve nga komuna përkeqësohet edhe më tej. Romët në Maqedoni jetojnë në varfëri ekstreme dhe papunësi të lartë, fëmijët romë janë të paushqyer, kanë kushte të rënda për jetesë dhe qasje të kufizuar në shërbimet shëndetësore. Shumë pak investohet në arsimimin e tyre, dhe në përgjithësi përmirësimin e cilësisë së jetës”, thuhet në reagimin e Grave nga Shuto Orizare. Për qasje në kujdesin shëndetësor, thuhet më tej në reagim, Komiteti Ndërkombëtar për të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore rekomandoi që shteti ti rrit përpjekjet që të sigurojë qasje në shërbimet gjinekologjike për të gjithë gratë pa marrë parasysh vendbanimin, duke ju mundësuar mjaftueshëm mjekë dhe duke i zgjeruar shërbimet të cilat i mbulon Fondi për Sigurim Shëndetësor i Maqedonisë. “Me qëllim të përmirësimit të shëndetit reproduktiv të romëve, Komiteti porositi të merren të gjitha masat për rritjen e numrit të gjinekologëve në vend me qëllim të sigurohet qasje për çdo grua në shërbimet gjinekologjike, veçanërisht në Shuto Orizare. Në Programin për mbrojtje shëndetësore aktive të nënave dhe femijëve për vitin 2017, të miratuar nga ana e Qeverisë, janë paraparë 240.000 denarë për gjinekologë, i cili njëherë në javë do ti kryejë aktivitetet e kujdesit shëndetësor parësor në fushën e gjinekologjisë dhe akusherisë në Komunën Shuto Orizare. Në vend të këtij vendimi jofunksional për 1.200.000 denarë, gjegjësisht për 20.000 euro, problemi i mungesës së gjinekologut për gratë e kësaj komune do të zgjidhej plotësisht me atë që do të ketë gjinekologë amë në komunë, çdo ditë pune. Vendimi për ndërtimin e pishinës jo vetëm që nuk korrespondon me nevojat serioze të qytetarëve të Shuto Orizares, po dhe hap pyetjen për prioritetet e ardhshme të autoriteteve kompetente kur bëhet fjalë për qytetarët e përkatësisë etnike rome”, thuhet më tej në reagim. Duke pasur parasysh faktet, Gratë e Shuto Orizares kërkojnë nga autoritetet kompetente ti rishikojnë prioritetet e qytetarëve nga Komuna Shuto Orizare dhe ti shpërndajnë burimet për të plotësuar nevojat themelore për një jetë dinjitoze.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.