Myslimanët në Republikën e Maqedonisë, si dhe e tërë bota islame, sot e festojnë festën e Fitër Bajramit. Bajrami është ditë e festimeve dhe falënderimeve ndaj Allahut. Fitër Bajrami shënon përfundimin e agjërimit të muajit të Ramazanit dhe është dita e parë e muajit Shaual. Shumica e myslimanëve e festojnë këtë Bajram të paktën tri ditë.
Si çdo ditë ashtu edhe ditën e Bajramit një mysliman është i obligueshëm të falë namazin e Bajramit. Namazi i Fitër Bajramit është falur në orën 5:40 minuta.
Gjatë muajit të Ramazanit çdo mysliman e ka për detyrim të japë sadakatul-fitrin. Fitri duhet të jepet para se të falet namazi i Bajramit, e nëse ndonjërit i kalon ajo kohë, atëherë ai sërish obligohet ta japë atë si kompensim. Dita e Bajramit shëmbëllen në ditë paqeje dhe gëzimi. Vetë fjala bajram do të thotë gëzim, begati, kënaqësi, hare. Një prej të veçantave të kësaj dite është edhe dhënia e kontributit në të holla ose ushqime, ose siç njihet në fenë islame ndarja e zekatit, për të varfërit dhe familjet në nevojë.
Bajrami është dita kur takohet forca e të pasurit me dobësinë e të varfrit në dashuri, mëshira dhe drejtësia nga shpallja e qiellit, titulli i të cilës është zekati, bamirësia dhe lehtësimi, është dita kur gëzohen fëmijët duke luajtur dhe duke u argëtuar, dita kur gëzohen të varfrit duke iu lehtësuar jeta dhe duke shijuar komoditet, dita kur farefisi takohen në bamirësi dhe kujdes për njëri-tjetrin, dita kur myslimanët bashkohen në falje dhe vizita reciproke, dita kur miqtë i ripërtërinë urat e dashurisë dhe elementet e afërsisë, dita kur shpirti fisnik i harron gabimet e të tjerëve ndaj tij, bashkohet pas ndarjes, pastrohet pas përnjollosjes dhe e përshëndet pas injorimit.