Komuniteti fetar në Shkodër reagon sërish për situatën kriminale pas vrasjes në mes të ditës dhe në mes të qytetit të Fatos Ferracakut dhe plagosjes së një personi tjetër.
“Sot kur Shkodra është përfshirë prej një mjegullnaje të zymtë. Ku era e krimit, korrupsionit, mungesës së përgjegjësisë, vjedhjes, shthurjes, përhapjes së fajdeve dhe kamatës, tradhëtisë dhe pabesisë, gënjeshtrës dhe mashtrimit, tendencave përherë në rritje të denigrimit të rinisë dhe zhveshjes së saj nga besimi dhe tabani i familjes, vlerave kombëtare dhe qytetarisë tradicionale, kanë për qëllim të bëjnë ligjin dhe ti ndryshojnë fytyrë dhe identitet këtij vendi. Ne e kemi për borxh moral fetar dhe kombëtar ndaj hakut të tokës sonë të shtrenjtë që të kthehemi përherë e më shumë nga vlerat e fesë dhe besimit tonë. Larg besimit dhe vlerave të tij ky vend nuk ka të ardhme”.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik si dhe rendin dhe sigurinë në qytetin Shkodrës vetëm një ditë pasi në komisariatin e këtij qyteti ishte zëvendësministri Sandër Lleshaj.
Më herët mesazhe të ngjashme ka dhënë dhe komuniteti i krishterë ku në thelb ishte bashkëjetesa e mirë si dhe largimi nga veset që dëmtojnë shoqërinë si dhe ndalimin e vrasjes.(G.shqip)