Evis HALILI
Shkup, 1 dhjetor – Kompozimet muzikore nuk do të financohen më nga Ministria e Kulturës. Kjo e fundit është duke hartuar një projekt-ligj për shfuqizimin e Ligjit për mbështetjen e produksioneve të muzikës vendase, shkruan gazeta KOHA. Për shkak se ky Ligj në praktikë nuk ka treguar se është i dobishëm, ose më saktë kompozimet e financuara gjatë këtyre viteve kanë pasur pak ose aspak jehonë për publikun dhe si të tilla – Ministria e Kulturës nuk mund të bëjë dot as vlerësimin e efekteve pozitive nga ky investim. Ligji u miratua në vitin 2013 dhe vetë projekti që u realizua nga Radio Televizioni publik parashikonte financimin e 200 kompozimeve në vit me një kosto prej më shumë se 510 mijë euro. Kjo formë e subvencionimit të kompozitorëve parashikohej të zgjaste deri në vitin 2023, si një mënyrë për t’iu kundërvënë fenomenit sociologjik – “Kulturës turbo folk” dhe perceptimit të deformuar për vlerat e vërteta të artit dhe kulturës, sqarohet në ligj. Nga Ministria e Kulturës pohojnë të kundërtën, se gjatë këtyre katër viteve nuk ka pasur asnjë lloj interesi kjo formë e stimulimit dhe e përkrahjes së krijimtarisë së muzikës së lehtë dhe popullore. Edhe pse gjatë këtyre muajve është hartuar një raport për vlerësimin e ndikimit të këtij Ligji dhe arsyetimit për shfuqizimin e tij, i njëjti nuk është publikuar. “Implementimi i ligjit nuk i ka dhënë efektet e dëshiruara, para së gjithash ndonëse janë regjistruar kompozime audio dhe video janë emituar shumë pak nëpër radio dhe televizione. Për këto arsye, nuk mund të bëhet as edhe vlerësimi objektiv i efekteve pozitive që vijnë nga mbështetja e krijimtarisë muzikore dhe kompozimeve. Duke pasur parasysh edhe se këto produksione në një masë të madhe as që kanë qenë në dispozicion të publikut më të gjerë, shtrohet çështja e justifikimit të një mënyre të tillë të financimit për krijimin e kompozimeve të reja nga sfera e muzikës popullore dhe asaj të lehtë me mjete nga buxheti i shtetit”, njoftojnë nga Ministria e Kulturës. Procedura për shfuqizimin e këtij ligji ka nisur dhe është një prej masave që ka nisur të implementojë ky institucion prej disa muajsh për të anuluar ligje dhe konkurse që kanë dëmtuar dhe vazhdojnë të kenë ndikime negative në buxhetin e kulturës. Pas reduktimit të pensioneve nacionale dhe tij për produksionet muzikore, ndryshimeve të paralajmëruara tek çmimet shtetërore pritet që të vijohet edhe me reduktimin e një sërë konkurseve në sektorë të ndryshëm që konsiderohen si joprofitabile. Një prej konkurseve është edhe ai për blerjen e kompozimeve muzikore, e të tjera. Po ashtu, ky institucion është në fazë përgatitore për hartimin e një Rregulloreje që përcakton kushtet, kriteret dhe procedurën për dhënien e kompensimeve mujore për artistët e lirë, e cila do të jenë e vlefshme për konkursin për mbështetjen e artistëve të pavarur që shpallet muajin e ardhshëm. (koha.mk)