Muzika është e lidhur ngushtë me gëzimin dhe harmoninë

Për mua titulli MËSUES është diçka që duhet çmuar shumë, sepse me mësimet e para gjithçka ngel në mendjen e fëmijës. Unë asnjëherë nuk mund ta harroj mësuesen time të parë, Çelebie Toska, të cilën e doja shumë dhe e cila ka lënë mbresa të thella në jetë time. Asnjëherë nuk do ta harroj

185

Delvina KËRLUKU

Arjana Kuriu Grubi u lind në Tetovë. Rrjedh nga një familje e arsimuar dibrane. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje. Ndërsa, studimet i ka përfunduara në Prishtinë, në Katedrën e muzikës, në vitin 1994, te profesoresha Lejla Pula dhe shkallën e tretë në Shkup, për Metodikë të pianos, te profesor Todor Svetiev. Pas përfundimit të studimeve, ajo merr pjesë në shumë aktivitete muzikore, ku edhe shquhet për talentin e saj. E bija e matematicientit Ismailaki-Mali Kuriu dhe Advije Nici Kuriu, profesore e muzikës, bëri që Arjana të zgjedh profesionin e nënës në jetë. Ajo po ashtu zgjodhi punën në shkollën, si prindërit. Si fillim në shkollën e mesme të muzikës në Tetovë, paralelja shqipe që ishte edhe një nga themelueset e kësaj shkolle. Po ashtu dhe në gjimnazin “Zef Lush Marku”, ku punoi 5 vite si dhe në shkollën e ulët dhe të mesme “Ilija Nikollovski Luj” në Shkup, në paralelen shqipe. Ka pasur disa koncerte me nxënësit, brenda dhe jashtë vendit. Ka qenë e ftuar në disa herë si anëtare e jurisë të garava, si në Prishtinë te ‘Ars Kosova’, në Shkup në garat republikane, si dhe në garat pianistike si anëtare e jurisë, e cila përfaqësoi vendin në Beograd, në Davorin Jenko. Ka pasur disa koncerte, ku e veçon atë në Nju Jork etj. Sot punon në Universitetin e Tetovës, në Fakultetin e arteve, dega e muzikës, në lëndën e pianos dhe metodikën e pianos. Është e martuar me violistin Blerim Grubi dhe ka dy fëmijë, Nitën dhe Lekën.

 

KOHA: Znj, Grubi, janë thënë shumë proverba për muzikën, botën tuaj të artit, si: muzika është e vetmja kënaqësi sensuale pa ves; muzika është ‘Perëndia’ që i buzëqesh njeriut etj. Çfarë është muzika për Ju?

GRUBI: Muzika është hyjnore, ajo na rrethon me diçka që nuk mund të preket, por ajo ndjehet përbrenda nesh. Jeta pa muzikë nuk do të kishte kuptim, gjithçka rrotullohet rreth saj. Pra, në një familje ku nuk dëgjohet muzika, unë mendoj se nuk ka kuptim dhe kënaqësi që është e lidhur ngushtë me gëzimin dhe harmoninë.

 

KOHA: Profesioni juaj i muzikës burimin e ka nga nëna, e cila në vitet e 70’ta, si femër, arriti të themelojë korin e parë në qytetin e Tetovës. Kjo dashuri ndaj muzikës u trashëgua edhe te Ju. Si e keni pranuar këtë ‘hobi’, ku më vonë u bë edhe profesioni juaj?

GRUBI: Normal se asnjë fëmijë nuk di se çka dëshiron. Pra, edhe te unë dhe po ashtu motra ime, Ilirjana, në fillim iniciatore për këtë hobi e që në të ardhmen u bë profesioni im jetësorë, ishte nëna ime Advije Nici-Kuriu, e cila ishte profesoreshë në shkollën e mesme të gjimnazit në Tetovë. Ajo në vitet e 70 ishte themeluese e korit miks-të përzier në qytetin e Tetovës, ndërkaq provat i mbanin në shkollën fillore ,,Liria”. Por, unë mendoj se gjeni i muzikës është dhe nga familja e babit, sepse ne ishim gjithnjë të rrethuar me këngë kur mblidheshim familjarisht e po ashtu dhe halla ime e ndjerë, Lumturie Kuriu, ishte ndër këngëtaret e para shqiptare këtu në Maqedoni me këngën e mirëfilltë shqipe që ajo këndonte në vitet e 50, në shoqërinë “Xheladin Zeqiri” në Tetovë.

 

KOHA: Si nisi rruga Juaj e muzikës dhe ç‘ndjesi përjetuat?

GRUBI: Ajo filloi më tepër kur përfundova shkollën e ulët në Tetovë dhe menjëherë, unë së bashku me motrën time binjake Ilirjanën, deshëm që të vazhdonim profesionalisht me pianon. Kështu që familja jonë u transferua në Prishtinë, me qëllim që ne mos të shkolloheshim pa kontrollin e prindërve tanë. Unë mendoj se kjo ishte sakrificë mjaft e madhe nga ana e prindërve tanë që vetëm të arrinim të bëheshim pianiste. Pra, përvojat ishin të ndryshme me peripeci jo dhe aq të lehta, sepse ky profesion do shumë përkushtim dhe ushtrime. Mirëpo, vullneti bën gjithçka të mundur. Meqenëse të dyja motrat ishim pianiste, ne kishim vetëm një piano në shtëpi, pra duhej të ushtronim njëherë unë, pastaj motra. Por, me marrëveshje kombinoheshim, ku edhe gjenim mënyrë që të ushtronim edhe në shkollë. Përjetimet ishin të ndryshme, herë të ëmbla e herë të hidhura, sepse skena në moshën e adoleshencës është mjaft e ndjeshme, por ndonjëherë edhe me shumë kënaqësi, sidomos kur pas koncertit të vinë të të urojnë shoqëria, prindërit etj.

 

KOHA: Shkolla është vetë jeta. Çfarë ju mësoi shkolla e jetës dhe e profesionit?

GRUBI: Është e vërtetë se shkolla të merr një pjesë të madhe të jetës, e sidomos muzika, sepse do shumë sakrificë dhe mund. Shkolla të mëson shumë, mirëpo më tutje, me përvojë, gjithçka është më ndryshe. Unë shpesh pyes veten. Po pse kaq shumë e dua pedagogjinë dhe në shumicën e rasteve e shikoj veten si babi im, i cili qe një pedagog, profesor i matematikës dhe shpesh kur uleshim në sofër, bisedonim për mësimdhënien. Po ashtu dhe dy hallat e mia mësuese mjaft të dalluara në Tetovë, Mediha Kuriu-Palloshi dhe Gëzime Kuriu-Emini, axhallarët gjithashtu matematicientë Genc Kuriu dhe Shpëtim Kuriu. Pra, talenti në familjen tonë nuk ishte vetëm muzika, por dhe matematika e mos të flas për edukimin e gjeneratave që bënë këta njerëz kaq me vlerë për shoqërinë shqiptare këtu në Maqedoni. E gjithë kjo kulturë mendoj se është e babit, hallave të mia dhe xhaxhallarëve të mi, që kishin dy prindër të zëshëm, si gjyshja ime, Zehra Kaba, një amvise e denjë për atë kohë dhe gjyshi im, Abdullah Kuriu, i cili merrej me bibliotekën dhe që kishte kryer Shkollë të lartë në Stamboll dhe në Athinë. Një histori e shkurtër për familjen Kuriu, të cilët kanë qenë gjithsej nëntë fëmijë. Gjyshi im detyrohet të lëvizë në disa qytete, Dibër, Peshkopi, Tiranë. Tri hallat e mia, Mediha, Lamiha dhe Lumturie janë të lindura në Tiranë, mandej në Gostivar ku edhe lindi babi im dhe në fund ndalojnë në Tetovë, ku lindin dhe 5 fëmijë tjerë, Genci, Gëzimja, Muameri, Bardhyli dhe Shpëtimi.

 

KOHA: Mësuesit duhet të përdorin metoda të tilla të të mësuarit, që zhvillojnë jo vetëm njohuritë teorike, shkathtësitë dhe shprehitë praktike të nxënësve, por edhe qëndrimet e tyre ndaj jetës, punës dhe shoqërisë në përgjithësi. Çfarë flet për ju titulli: MËSUES?

GRUBI: Për mua titulli MËSUES është diçka që duhet çmuar shumë, sepse me mësimet e para gjithçka ngel në mendjen e fëmijës. Unë asnjëherë nuk mund ta harroj mësuesen time të parë, Çelebie Toska, të cilën e doja shumë dhe e cila ka lënë mbresa të thella në jetë time. Asnjëherë nuk do ta harroj. Në punë përveç pianos, ligjëroj dhe metodikën e pianos. Shpesh ndalemi dhe bisedojmë me studentët për shumë problematika të mësimdhënies. Dhe ju them se gjëja më e rëndësishme gjatë orës së pianos, është komunikimi mes nxënësit dhe pedagogut që paraqet një sukses në punën e mëtejme kreative. Pra, me një fjalë, autoriteti i mësimdhënësit duhet ndërtuar gradualisht dhe me kalimin e kohës mësuesi do të jetë autoritet, bindës.

 

KOHA: Një numër i madh festivalesh organizohen si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni. Po ashtu, një seri pafund televizive, mbi bazën e muzikës dhe këngëtarëve e instrumentistëve më të njohur në vend, të cilët në një farë mënyre lëvizin nga një studio në një tjetër. Por, a e dëmton ky frekuentim kaq i madh cilësinë e muzikës, këngës. Pra, cila është cilësia e muzikës shqiptare sot?

GRUBI: Nëse bëjmë krahasimin mes festivaleve të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës, do të vërejmë ndryshime. Shqipëria gjithnjë ka qenë para. Kosova kishte ”Akordet e Kosovës”, mirëpo kjo u ndërpre. Mandej kishte Shou Festin, Poli Festin etj. Por, sot këto festivale janë plejbek. Unë mendoj se cilësia e muzikës tani nuk është aq kualitative, sepse tani gjithkush mund të bëhet këngëtar, për fat të keq. Shpresojmë që përsëri të kthehet versioni i të kënduarit drejtpërdrejtë.

KOHA: Sa ndikohet muzika shqiptare nga muzika botërore dhe a mendoni se nuk ekziston tabani i muzikës shqiptare?

GRUBI: Po në kohën e fundit gjithçka huazohet pak a shumë, me të cilën dukuri aspak nuk pajtohem, sepse melosi ynë nuk duhet anashkaluar.

 

KOHA: Muzika nuk mund të kuptohet pa marrjen e disa njohurive themelore bazë, si njohja me gjuhën muzikore dhe komunikimin përmes saj, zbatimin përmes teknikave dhe proceseve muzikore, njohja me zhvillimin historik të saj dhe lidhjen e ngushtë me njeriun, njohuri që bëjnë të vetëdijshëm nxënësit për rolin e muzikës në jetën e përditshme?

GRUBI: Bazat e muzikës në qoftë se nuk janë me bazë të shëndoshë normal, atëherë do ketë shumë zbrazëtira, sepse do të ndeshemi në teknika të gabuara, pa marrë parasysh se çka është, këngëtar profesionist apo instrumentist. Pra, në qoftë se baza është e qëlluar, gjithçka do të ecë dhe do ketë përparim të shëndoshë.

KOHA: Lënda e muzikës është ajo që nxënësve u jep vullnet për tërë ditën, duke i bërë më të hareshëm përmes lojës, këndimit, përjetimit të tekstit. Si e gjykoni që librat e muzikës në Maqedoni janë pa autorë shqiptarë?

GRUBI: Kjo është një temë më vete dhe që duhet t’i kushtohet një hapësirë bukur e gjerë. Mirëpo, sa i përket kompozitorëve shqiptarë, ne kemi si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova, po ashtu dhe në Maqedoni, si Musa Piperku – Dibër, Enver Stafai – Gostivar. Mirëpo, kemi disa emra të kompozitorëve të rinj, të cilët duhet së paku t’u përmenden emrat, si Fatos Lumani – Strugë dhe Vullnet Tairi – Gostivar.

 

KOHA: Arti muzikor shqiptar ka historinë dhe specifikat e saj, duke përfshirë ritmin, vijën melodike, harmoninë si dhe veglat muzikore, të cilat burojnë nga vlerat e traditës së kultivuar me shekuj ndër shqiptarët dhe këto vlera nuk mund të kompensohen gjatë një përkthimi të thjeshtë të autorëve maqedonas?

GRUBI: Për këto problematika duhet gjerë e gjatë të diskutohet, por ne muzicientët duhet të mundohemi më tepër që ta fitojmë vetë këtë betejë dhe t’i nxjerrim në sipërfaqe vlerat tona, sepse kemi mjaft çka të tregojmë. Në qoftë se diskutojmë për iso-polifoninë shqiptare, duke qenë se është një vlerë e provuar historikisht, ka një funksion identifikues etnik dhe etno-integrues shumë të fuqishëm. Karakteri polifonik i një pjese të mirë të muzikës sonë popullore formon një njësi që shpreh anë të përbashkëta të zhvillimit historik të jetës e psikologjisë së labëve e të çamëve, devollinjve, skrapallinjve, myzeqarëve e kolonjarëve.

 

KOHA: Cilat janë sfidat që një femër shqiptare të del në skenë, pas gjithë obligimeve familjare?

GRUBI: Skena është përgjegjësi e madhe, sidomos për femrën shqiptare, mirëpo e gjithë kjo arrihet vetëm me ndihmën e sakrificës së gjithë familjes. Pra, ajo nënkupton nga bashkëshorti, fëmijët, të jenë të gjithë anëtarët e shtëpisë, e jo të gjitha të jenë në kokë të gruas. Preokupimi është jo vetëm nga unë, por edhe nga familja ime. Jemi me fat, sepse të katërt merremi me këtë profesion të artë që ne kemi, e ajo është muzika.

 

KOHA: Në fakt, çfarë paraqet për Ju familja?

GRUBI: Për mua familja paraqet emocion që në letër nuk është dhe aq lehtë ta përshkruash. Janë emocione të bukura, që ndihen falë dashurisë, ku kjo e fundit nuk ka kufij në familje dhe është pa asnjë lloj interesi. Sepse erdhi një jetë shumë dinamike që ndonjëherë dhe nuk arrijmë të shihemi nga jeta që kemi. Ne udhëtojmë çdo ditë për në Tetovë. Pra, familja ime janë bashkëshorti apo më mirë të them shoku më i ngushtë i jetës sime, Blerimi, i cili është një baba i mrekullueshëm, me të cilin punojmë së bashku pranë USHT-së në Fakultetit të Arteve, dega e muzikë. Dikush habitet se si ne veprojmë së bashku në të njëjtën punë. Por, unë mendoj se për ne nuk është aspak problematike, sepse të dy jemi të të njëjtit profil. Vajza Nita ka me muzikë ka filluar që në moshë të vogël. Ka marrë pjesë në festivale, në Shkup, Prishtinë, Ferizaj etj. Pas studimeve, ajo njihet si pianist, e cila është mjaft aktive në jetën e saj artistike. Ka pasur disa koncerte recitale si në Prishtinë, Shkup, Gjakovë etj. Po ashtu ka marrë pjesë nëpër koncerte të ndryshme në Evropë, si Itali, Çeki, Hungari etj. Leka që në moshë të vogël ka marrë pjesë në festival, duke interpretuar me violinë, në festival të organizuara në Shkup, Kërçovë, Prishtinë etj. Kurse tani është student i Fakultetit të Arteve në Shkup. Po ashtu vlen ta përmendi dhe gjyshen e fëmijëve të mi, zonjën Fatush, pa të cilën unë nuk do t’i kisha këto arritje që i kam deri tani. Ajo më ka ofruar ndihmë të madhe jo vetëm për fëmijët, por edhe na ka dhënë këshilla në jetë.

 © Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Comments are closed.