Muzika e përmirëson disponimin duke e ndryshuar kiminë e trurit, ndërsa këto ndryshime mund të jenë të dobishme edhe për zemrën
Muzika jo vetëm që e aktivizon sistemin e dëgjimit, por edhe i nxitë shumë rajone në tru, veçanërisht ato për lëvizje, vëmendje, gjuhë, kujtesë dhe emocione.
“Nuk ekziston stimulues i cili ndikon njëkohësisht në fusha kaq të gjera të trurit, siç bën muzika”, pohon Brian Harris, përndryshe terapist muzikor në Harvard, transmeton Koha.net. “Ky aktivizim global ndodh derisa e dëgjojmë muzikën, interpretojmë në ndonjë instrument apo këndojmë. Këndojmë plotësisht nonshalantë në dush apo në veturë”.
Studimet sugjerojnë se njerëzit nëse dëgjojnë muzikë mund të ushtrojnë më gjatë, atyre u përmirësohen funksionet e enëve të gjakut me relaksimin e arterieve, ndërsa rrahjet e zemrës dhe presioni kthehen në normale shumë më shpejtë pas ngarkesave. Gjithashtu muzika e redukton anksiozën tek ata të cilët kanë përjetuar infarkt dhe gjithashtu i ndihmon pacientët në rikuperimin nga operacioni i zemrës në mënyrë që ta ndjejnë më pak anksiozën dhe dhimbjen.
Ashtu si senzacionet e tjera të pëlqyeshme, dëgjimi ose krijimi i muzikës ndihmon në lirimin e dopaminës, neurotransmetuesit në tru i cili jep motivim. Përpunimi i tingullit fillon në qelizat e trurit, të cilat gjithashtu i kontrollojnë rrahjet e zemrës dhe frymëmarrjen. Kjo lidhje shpjegon se pse muzika relaksuese i ngadalëson rrahjet e zemrës, frymëmarrjen dhe presionin, dhe bën që më lehtë të përballohen dhimbja, stresi dhe anksioza.
Shkencëtarët mendojnë se muzika të cilën e zgjedhin vetë pacientët ka efekt më të favorshëm se ajo që e zgjedh dikush tjetër për ta. American Music Therapy Association pohon se muzika e provokon reagimin falë njohjes së melodisë, parashikueshmërisë dhe ndjenjës së sigurisë.
Në studimin e relaksimit të arterieve është testuar muzika klasike dhe rock, ndërsa përmirësimet ishin më të mira, kur adhuruesit e muzikës klasike dëgjuan muzikë klasike, sesa kur dëgjuan rock dhe anasjelltas, përcjell Koha.net. Adhuruesit e operës gjejnë relaksim të madh gjatë dëgjimit të operës, por tek ata të cilët nuk e pëlqejnë këtë, muzika e tillë mund të ketë efekt të kundërt.
Tek dëgjimi i muzikë nuk ka disavantazhe për sa i përket relaksimit ose përmirësimit të ushtrimeve, për sa kohë që decibelët mbahen nën kontroll, shkruan Health Blog i Harvard Medical School.