Evis HALILI
Shkup, 30 qershor – Përpjekjet serioze për të rikthyer në identitet godinën e Muzeut të Alfabetit në Manastir, nuk janë perceptuar si të tilla nga institucionet shtetërore, shkruan gazeta KOHA. Edhe pse ndajnë pak javë nga fillimi i punimeve për rikonstruktimin e Muzeut të Alfabetit, Ministria e Kulturës nuk e ka gjetur një zgjidhje përfundimtare për institucionin në varësi të saj. Me fondet e IPA, rreth 300 mijë euro, ky institucion nacional do t’i ngjajë një muzeu bashkëkohor, por një pjesë e tij mund të shkojë dëm, pasi kontesti pronësor për objektin qëndron pezull. Sipas një marrëveshje të bërë me pronarin, kati i parë, i cili funksionon si një magazinë dhe dyqan për tregtimin e materialeve hidrosanitare, do t’i kalojë me qera muzeut.
Drejtori i muzeut, Nuer Arsllani, thotë për KOHA se ky variant e koklavit më shumë çështjen dhe nuk mund t’i japë zgjidhje problemit, pasi nuk e përjashton mundësinë që pronari t’ia japë një tjetër qiramarrësi, duke bërë që ende të mos dihet nëse nga ky rikonstruktim do të përfitojë muzeu, apo edhe pronari tjetër.
“Edhe pse nuk është në pronësi të muzeut, në projektin rikonstruktues planifikohet edhe rikonstruktimi i katit të parë. Por kjo s’është zgjidhje përfundimtare, pasi mund të ndodhë që pas një kohe pronari t’ia japë dikujt tjetër me qera. Janë shtruar shumë variante deri tani, por me pronarin s’kemi arritur të gjejmë një gjuhë të përbashkët. Që ngre shumë pikëpyetje nëse do të arrijmë të merrmi vesh kur objekti të jetë rikonstruktuar plotësisht. Ministria ose duhet ta blejë, ose ta kompensojë, rrugë tjetër s’ka”, thotë Arsllani.
Pretendimet e drejtorit bazohen në pamundësinë e gjetjes së një kompromisi me bashkëpronarin e godinës, i cili prej disa vitesh ka refuzuar oferta që i janë bërë për kompensimin e pronës. Kjo çështje nuk është zgjidhur jo vetëm gjatë dhjetë viteve, por edhe gjatë këtij viti, periudhë kjo kur përgatitej aplikimi me projektin rikonstruktues për fondet IPA. Me Ministrinë e Kulturës nuk janë definuar as detajet e tjera, se cila do të jetë adresa e përkohshme e muzeut. Sipas një varianti muzeu dhe inventari i tij do të transferohen në magazinën e Muzeut të Manastirit, por nuk përjashtohet mundësia që të vendosen diku tjetër me qera.
“Punimet do të nisin së shpejti, por as çështja e vendosjes sonë nuk është definuar. Janë diskutuar disa variante dhe një prej tyre është Muzeu i qytetit, i cili ka edhe hapësirat e nevojshme”, thotë Arsllani. Projekti rikonstruktues i godinës që është në një gjendje shumë të keqe dhe larg të gjitha parametrave për funksionimin e një muzeu, do të përfshijë edhe arredimin e ambienteve të brendshme, vendosjen e rrjetit të ri hidraulik dhe elektrik. Si pika problematike janë rikonstruktimi i shkallëve të brendshme prej druri, si edhe përforcimi i konstruksionit mes dy kateve. Kati i parë supozohet që nuk do të ketë funksion ekspozues, por do të shërbejë për pritjen e vizitorëve, kafe –librari dhe tregtimin e suvenirëve. Në katin e dytë do të jetë dhoma muze me figurat në silikon të firmëtarëve të Kongresit të Alfabetit, biblioteka, si edhe pavijoni etnologjik. Rikonstruktimi do të bëhet në bazë të dokumenteve të vitit 1925, në të cilat paraqitet pamja autentike e shtëpisë, e ngjashme me atë që ka sot.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.