Dy katet e para të Muzeut të Kosovës janë shndërruar në vendpunishte. Punonjësit e këtij institucioni e edhe të tjerë të angazhuar janë në përfundim të rregullimit të hapësirës së ekspozitës për të cilën shteti ka pritur tash e 18 vjet, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ajo që konsiderohet si ekspozitë e përhershme − e që drejtori i MK-së, Skënder Boshtrakaj, e quan ekspozitë bazë − do të hapet më 17 shkurt, pikërisht në ditën kur Kosova rrumbullakon 10 vjet si shtet. Shumica e vitrinave janë vënë në të dyja katet.
I pari do të plotësohet me artefaktet arkeologjike e i dyti me eksponatet historike. Qysh tash dihet se në katin e parë një vend qendror do të ketë ai që konsiderohet eksponati më me nam i Kosovës, Hyjnesha në Fron, e në të dytin Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, e dhpallur më 17 shkurt 2008 në pergamenën 700-vjeçare. Deklarata ende gjendet në Kuvendin e Kosovës, e mbrohet si objekt i trashëgimisë kulturore prej tetorit të vitit të kaluar, kur u bë pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme.
Por ekspozita që do të hapet të shtunën nuk do të jetë e përhershme në kuptimin e plotë të fjalës. Sidomos ajo e pavijonit të historisë. Artefaktet që do të renditën në bazë të konceptit të hartuar nga Edi Shukriu, Gazmend Riza, Florina Jerliu, Bujar Demjaha, Agim Rudi, Arben Hajdari, Zanita Halimi, Milot Berisha, Elvis Shala, Skënder Boshtrakaj e Vjollca Aliu, ende nuk kanë zënë vendet e tyre, pos një numri krejt të vogël të enëve të periudhave të ndryshme. Vitrinat janë dizajnuar nga arkitektët Bujar Demjaha e Florina Jerliu.
Boshtrakaj ka thënë se kati i parë do të jetë kryesisht me përmbajtje nga arkeologjia e kati i dytë do të ketë disa stacione që prezantojnë pika të ndryshme për historinë e vendit.