Ende nuk dihet se kur në realitet do të ndodhë transferimi i muzeut në këtë ish shtëpi të armatës dhe do të vihet në funksion
Urim HASIPI
Tetovë, 27 janar – Shtëpia e Armatës në Tetovë e cila një kohë të gjatë ka funksionuar edhe si restorant, viteve të fundit është lënë në mëshirë të fatit. Ky objekt, që ndodhet në pjesën qendrore të qytetit të Tetovës, sipas paralajmërimeve parashihet që të adaptohet për muzeun e rrethit të Tetovës. Objekti i muzeut të Tetovës aktualisht ndodhet në lagjen e Çarshisë së Epërme, por është shumë i vogël për sa i takon hapësirave. Ideja që ky muze të transferohet në ish shtëpinë e armatës, është e kreut të Komisionit për marrëdhënie mes bashkësive Darijan Sotirovski. “Normalisht se çdo tetovar kur e sheh se si ky objekt tre apo katër vitet e fundit është duke u shkatërruar pasi që nuk funksionon asgjë, pyet se për çfarë qëllimi më të mirë do të përdorej i njëjti. Kemi ardhur deri tek ideja se vend më adekuat për muzeun e qytetit të Tetovës do të ishte ish shtëpia e armatës dhe krahas muzeut do të ishte edhe një vend për ngjarje kulturore. Kemi biseduar edhe me drejtuesit e muzeut, edhe me Ministrinë e kulturës, me Qeverinë, kemi hasur në mirëkuptim. Ka patur edhe mendime tjera se për çfarë do të përdorej ky objekt, por mendimi i përbashkët ishte se pikërisht një vend i këtillë i mungon Tetovës, dhe për fat të mirë kishte vullnet nga ana e përgjegjësve të disa institucioneve që të pranohet kjo ide, ku ky vend do të jetë vendstrehim për shumë ngjarje kulturore”, ka thënë Sotirovski.
Pritet që fillimisht të punohet në rikonstruimin e objektit, i cili është në gjendje të rëndë, dhe më pas do të shfrytëzohet si objekt i muzeut dhe një qendër multimediale për zhvillime kulturore. “Objekti është në gjendje të mjerueshme. Faza e parë do të jetë pastrimi i këtij objekti, duke patur parasysh se shumë vite për brenda objektit është sjellë në një gjendje të rënduar. Do të ketë disa faza të rikonstruimit dhe sanimit, por si do të rregullohet më pas, do të bisedojmë me drejtorin e Muzeut të Tetovës, me punëtorët në sektorin e kulturës, me arkitektë, me njerëz që kanë lënë gjurmë në kulturë dhe shpresojmë që të kemi një objekt me vlera për qytetin e Tetovës. Me një fjalë, nuk do të jetë vetëm një muze klasik, por edhe një objekt ku do të ketë zhvillime dhe ngjarje kulturore në vazhdimësi. Me këtë dëshirojmë që të krijojmë një objekt ku individët do të mund të zhvillojnë idetë dhe shkathtësitë e tyre në sferën e krijimtarisë” ka deklaruar kryetari i Komisionit për marrëdhënie mes bashkësive, Darijan Sotirovski. Ende nuk dihet se kur në realitet do të ndodhë transferimi i muzeut në këtë ish shtëpi të armatës dhe do të vihet në funksion. (koha.mk)