Kërkesa e disa muajve më parë për punësimin e një albanologu dhe historiani është refuzuar nga Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ky institucion nacional edhe disa vite më parë nuk ka marrë pëlqim për shpalljen e konkurseve për punësime të reja nga Ministria e Financave, madje as kur miratimi është marrë edhe nga Ministria e Kulturës. Numri i përgjithshëm i punonjësve është gjashtë dhe rolin e kustosit e marrin drejtori
Evis HALILI
Shkup, 14 gusht – Në periudhën kur muzetë janë destinacionet më të frekuentuara sidomos nga vizitorët nga jashtë vendit, në Muzeun e Alfabetit në Manastir punohet me mungesa të theksuara kadrovike. Kërkesa e disa muajve më parë për punësimin e disa punonjësve, mes të cilëve një albanologu dhe historiani, është refuzuar nga Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, shkruan gazeta KOHA. Ky institucion nacional edhe disa vite më parë nuk ka marrë pëlqim për shpalljen e konkurseve për punësime të reja nga Ministria e Financave, madje as kur miratimi është marrë edhe nga Ministria e Kulturës.
Për momentin, numri i përgjithshëm i punonjësve është gjashtë dhe rolin e kustosit e merr drejtori, si historiani i vetëm në këtë muze, apo edhe pedagogu që është përgjegjës për mbarëvajtjen e këndit edukativ për fëmijë që funksionon prej disa kohësh.
“Kjo periudhë është një prej më të vizituarave gjatë vitit. Nuk ka ditë që muzeu të mos vizitohet nga grupe vizitorësh, nga vendi, Kosova, Shqipëria, por kemi edhe të interesuar të tjerë që vijnë nga jashtë vendit, bashkatdhetarë që vijnë më pushime nga vende të ndryshme të Evropës, madje edhe nga Australia. Nuk kemi kustos, asnjë historian, apo albanolog të punësuar dhe nuk dihet se kur do të bëhet kompletimi i muzeut, pasi përgjigjet na kanë ardhur negative, si nga Ministria e Financave më parë, tani edhe nga SIMO. I jemi drejtuar sërish me një kërkesë të re edhe presim përgjigje”, thotë për KOHA, drejtori Nuer Arsllani.
Sipas tij, investimi më i mirë për këtë institucion janë punësimet, krijimi i stafit të specializuar, për të siguruar jo vetëm ecurinë normale të punës, por edhe për të ngritur muzeun në nivelin e të gjitha institucioneve të tjera nacionale. Edhe pse vështirësitë për punësime nuk janë vetëm në lejen për shpalljen e konkurseve, por edhe për të gjetur punonjës në këto profile, sidomos në zonën e Manastirit.
Investimi i vetëm për institucionin më të rëndësishëm të historisë dhe kulturës shqiptare është dhoma përkujtimore me figurat në silikon të firmëtarëve të Kongresit të Manastirit, që ka zgjuar kureshtjen për të vizituar këtë godinë. Përndryshe dokumentet dhe inventari që ka në dispozicion muzeu është i kufizuar. Risi për këtë vit janë nisja e punimeve për rikonstruktimin e objektit, sajë grantit të siguruar nga fondet e zhvillimit IPA, që do të duhet të përfundojnë në fund të muajit tetor. Po ashtu muzeu bëhet gati për shënimin e përvjetorit të 110-të të Kongresit të Manastirit, më 22 nëntor, datë kjo që do të kremtohet edhe në kalendarin festiv mbarëshqiptar – Vitit të Gjergj Kastriotit. Buxheti i akorduar nga Ministria e Kulturës është 600 mijë denarë për zhvillimin e manifestimeve të ndryshme artistike-kulturore. (koha.mk)