Ka më shumë se një vit prejse Muzeu i Kosovës ka paralajmëruar hapjen e ekspozitës së përhershme më 17 shkurt. Që nuk do të jetë e përhershme në kuptimin e plotë të fjalës është marrë vesh të martën, por ky institucion do ta shtyjë edhe hapjen. Të mërkurën është bërë e ditur se ekspozita do të hapet më 23 shkurt.
Skënder Boshtrakaj, drejtor i Muzeut të Kosovës, ka thënë se vendimi për shtyrjen e hapjes së ekspozitës ka ardhur nga Ministria e Kulturës.
“Ministria e Kulturës na ka njoftuar se për shkak të agjendës së ngjeshur përgjatë datës 17 shkurt ekspozita e Muzeut do të hapet të premten më 23 shkurt”, ka thënë ai. Boshtrakajn nuk e ka shqetësuar ky lajm. Ka thënë se më 17 shkurt do të ketë shumë aktivitete dhe ndoshta është më mirë që Muzeu ta hapë ekspozitën pak ditë më vonë sesa ajo kur shënohet jubileu i Pavarësisë.
Arsyetim të njëjtë ka dhënë edhe kabineti i ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).