Muzeu i Alfabetit me drejtor të ri e telashe të vjetra

145

Në krye të këtij institucioni është emëruar Zait Aliu, sfida e të cilit mbetet e njëjtë ashtu si edhe për paraardhësit e tij – plotësimi i kuadrit profesional, avancimi dhe pasurimi i fondit muzeal… Hapja zyrtare pritet të bëhet së shpejti, pas përfundimit të punimeve rikonstruktuese të financuara nga grantet e IPA-s, të cilat janë edhe investimi më serioz për godinën – simbol të kulturës dhe trashëgimisë shqiptare

Evis HALILI

Shkup, 16 janar – Muzeu i Alfabetit këtë vit hap një kapitull të ri, me ambiente të rikonstruktuara dhe drejtor të sapoemëruar. Në krye të këtij institucioni që prej disa vitesh është drejtuar nga kustosi – historiani Nuer Asllani, është emëruar Zait Aliu, sfida e të cilit mbetet e njëjtë ashtu si edhe për paraardhësit e tij. Plotësimi i kuadrit profesional për të siguruar ecurinë normale të punës në institucionin që aspiron të jetë në nivelin e të gjitha institucioneve të tjera nacionale në vend, zgjidhja e kontestit pronësor të ambienteve të katit të parë, avancimi dhe pasurimi i fondit muzeal…

Drejtori Aliu është nga qyteti i Manastirit, jurist me profesion, por i njohur për kontributin shumëvjeçar në muzikë, si këngëtar popullor në shoqërinë “Bashkimi” dhe grupin “Gazmorët”.  Hapja zyrtare pritet që të bëhet së shpejti, pas përfundimit të punimeve rikonstruktuese të financuara nga grantet e IPA-s,(rreth 300 mijë euro), të cilat janë edhe insvestimi më serioz për institucionin – simbol të kulturës dhe trashëgimisë shqiptare, krahas krijimit të dhomës përkujtimore me figurat prej silikoni të firmëtarëve të Kongresit. Godina, rikosntruktimi i së cilës përfshiu ambientet e jashtme, instalimet e brendshme, ndërhyrjet në përforcimin e strukturës së saj, duke ruajtur origjinalitetin, pret të kompletohet me mobilje dhe kompjuterë.

“Mund të thuhet se gjithçka ka përfunduar dhe muzeu shumë shpejt do të jetë në dispozicion të vizitorëve dhe për të filluar me realizimin e programit vjetor dhe aktiviteteve. Sfidë mbetet rritja e numrit të të punësuarve, kemi nevojë për profile si albanologë, historianë, juristë…, por edhe promovimi i tij edhe zgjerimi i bashkëpunimit me institucionet e tjera. Nga aktivitetet më kryesore mbetet shënimi i ditës së alfabetit 14-22 nëntori, por edhe vijimi i aktiviteteve edukative që i zhvillojmë me nxënësit e shkollave”, thotë drejtori Aliu. Sai takon ambienteve, përveç dhomës përkujtimore gjendet edhe ekspozita e përhershme që përbëhet prej 51 fotografi me personalitet që kanë kontribuar për zhvillimin e alfabetit shqip gjatë shekujve, delegatët e Kongresit, dokumente e të tjera.

Pas vendosjes në kalendarin zyrtar të festave të datës 22 nëntor, u themelua Muzeu i Alfabetit që si institucion nacional në vitin 2007, me qëllim mbrojtjen, hulumtimin, mbledhjen, rregullimin dhe përpunimin profesional e shkencor si dhe studimin e objekteve muzeore, që janë të rëndësishme për unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Nga viti 2019 22 nëntori është pjesë e çmimeve shtetërore. (koha.mk)