Evis HALILI
Shkup, 19 maj – Slogani me të cilin këtë vit shënohet 18 maji – Dita e muzeve, “Muzetë dhe historitë e kontestuara – Thuaje të pathënën”, përkon me situatën në të cilën gjenden ato institucione që lidhen me historinë dhe trashëgiminë shqiptare. Muzeu i Lirisë, Muzeu i Alfabetit, Memoriali Nëna Shqiptare në Zajaz…, që prej themelimit të tyre vazhdojnë të bartin të pazgjidhura, statusin, pronësitë, e të tjera, shkruan gazeta KOHA. Ai që vazhdon të quhet Muzeu i Lirisë, në fakt është vetëm një shtëpi e cila funksionon nga burimet financiare të Komunës së Çairit.
Vendimi për kthimin e tij në muze, për punësimin e një stafi, pasurimin e fondit arkivor ka mbetur pezull. Një tjetër objekt i rëndësishëm i historisë është Muzeu i Alfabetit në Manastir. Prej më shumë se dhjetë vitesh ky institucion tërheq më shumë vëmendjen kur vendoset në shënjestër të sulmeve dhe parullave antishqiptare. Kontesti pronësor mbetet i pazgjidhur për një pjesë të ambienteve të tij. Ndërsa rikonstruktimi i plotë i ndërtesës emblematike ku u mbajt Kongresi i Manastirit pritet të realizohet nga fondet e IPA.
“Nuk kemi organizuar diçka të posaçme, pasi nuk na u miratua projekti, por me rastin e Ditës së Muzeve do të punojmë edhe gjatë natës”, thotë për KOHA, drejtori Nuer Arsllani. Por, në Ministrinë e Kulturës thonë se do të vazhdojnë me iniciativa të reja dhe kompletimin e institucioneve ekzistuese. “Ky vit ishte i frytshëm, u mor vendimi për shpalljen muze të shtëpisë së Mehment Pashë Derrallës, u vendosën figurat e firmëtarëve të Alfabetit të punuara në silikon, e të tjera. Edhe pse një pjesë e projekteve që kemi nisur nuk janë realizuar tërësisht, si Muzeu i Lirisë, apo Qendra memoriale në Zajaz, duhet që procesi i institucionalizimit në nivel nacional të vazhdojë”, thotë sekretari shtetëror, Behixhudin Shehapi. Përveç objekteve, problemi i punësimit të shqiptarëve në institucionet nacionale, apo emërimi i tyre në poste drejtuese është një temë tabu. Ndërkohë sipas një vendimi të qeverisë në fillim të këtij viti u miratua kthimi në muze i shtëpisë së Mehmet Pashë Derallës në Tetovë, objekt i cili është në fazë rikonstruktimi. Ndërkohë procesi për zyrtarizmin e memorialit “Nëna Shqiptare” në Zajaz, ende nuk ka përfunduar. Shkaqet për situatën në të cilat gjenden këto institucione kërkohen tek mungesa e seriozitetit institucionale dhe politike. Kështu pohojnë historianë, pjesë e iniciativave për hapjen e këtyre institucioneve. Ata thonë se mungesa e institucioneve të mirëfillta që do të financoheshin nga shteti mundohet të kompensohet me iniciativat private dhe çeljen e muzeve që funksionojnë varësisht donacioneve. I tillë është Muzeu etnografik në Livadhi, që u çel nga historiani Nebi Dervishi disa vite më parë dhe tani numëron mbi pesë mijë eksponate.
“Por është vështirë që të mirëmbash dhe ta bëjë të funksionojë si duhet një muze privat, në baza vullnetare. Kemi bërë kërkesë në Ministrinë e Kulturës për ta revalorizuar dhe na refuzuan në formë qesharake, po ashtu kërkuam nga UT që të funksiononim në kuadër të tyre, por edhe ato nuk pranuan. Kemi 5.500 artefakte të ekspozuara dhe qindra të tjerë të maganizuara, pasi nuk kemi se ku t’i vendosim. Pra ka iniciativa, ka muze, por nuk ekziston interesim për të ngritur institucione”, thotë historiani Çlirim Dervishi, i cili drejton aktualisht këtë muze. Dita botërore e muzeve do të vijojë edhe më 20 maj. Muzeu i Maqedonisë, ai i Artit Bashkëkohor kanë disa aktivitete dhe do të qëndrojnë të hapura edhe gjatë natës për vizitorët. Çdo vit rreth 35 mijë muze janë pjesë e manifestimeve në 145 vende të botës.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara