Me vdekjen e Omer Kaleshit dhe më parë të Adem Kastratit, të cilët kam pasur fat t’i njoh personalisht dhe të miqësohem, kultura shqiptare humbi elitën e vërtetë artistike
Nga Reshat AMETI
Për krijimtarinë e Omer Kaleshit kanë shkruar shumë personalitete me relevancë botërore në sferën e kulturës dhe artit, kështu që unë në këtë rast nuk do të doja t’i përsëris epitetet e lavdishme për krijimtarinë e tij, por do të kisha theksuar jeta e Omerit ngjason me jetën e artistëve të periudhës së renesancës, si Leonardo da Vinçi dhe Michelangelo Buonarroti të cilët tërë jetën e tyre ia kanë kushtuar artit dhe krijimtarisë pa krijuar familje. Ashtu edhe artisti ynë nuk krijoi familje, por jetën ja kushtoi artit. Veprat e tija ishin familja e tij. Këtë ma konfirmonte në takimet tona! Personalisht, në veprat e tija ku realizimi i kokave është në dimensione përtej perceptimit dhe kuptimit racional të estetikës artistike, por kanë një dimension të veçantë shpirtëror, gjë tjetër që mua më fascinonte, ishin hapësirat e zbrazëta, të “papërpunuara”, të bardha në pëlhurë, ngjyrë e cila i jepte “frymë jete” dhe përforconte veprën si një realizim hyjnor!
Edhe për Adem Kastratin dhe krijimtarinë e tij, kanë shkruar personalitete të shquar të lëmit të artit pamor. Krijimtaria e Ademit, ishte edhe e veçantë edhe unike. Me këtë rast nuk do t’i përmendi të gjitha kualitetet artistike që i posedonte, por do ta theksoja një veçanti në përdorimin e teknikës ngjyrat e dheut, qe tani është aktuale në trendet ekologjike botërore, ku artistët bashkëkohorë i kthehen natyrës. Pra, mund të mburremi se kemi pasur artistë me një pararendës të shprehjeve të reja artistike, me vizion për simbiozë artin me natyrën.
Në fillim të karrierës sime si piktor, kam pasur shumë takime me të, ishte mentori në rrugëtimin tim në labirintet e artit, ishte përkrahës i imi i fuqishëm në ato kohëra që nuk ishin shumë “pjellore” për tu marrë me këtë profesion fisnik! Me largimin nga jeta të këtyre dy gjigantëve, ne nuk do të kemi më prodhime dhe realizime artistike me cilësi dhe origjinalitet të rrallë artistik, siç janë krijuar nga këta artistë derisa ishin gjallë… Artet pamore tashmë do të kenë një boshllëk të thellë, artdashësit dhe konsumatorët e arteve pamore nuk do të kenë ku të shikojnë veprat e këtyre piktorëve që kanë dhënë aq shumë për zhvillimin, edukimin e kulturës sonë, edhe atëherë kur kushtet nuk kanë qenë të favorshme!
Nga ky konstatim, lind nevoja për të ndërtuar apo realizuar një galeri apo muze me emrat e këtyre artistëve, ku veprat e tyre do të përkujdesen dhe mbrohen me kushte profesionale, do të rruhen me të gjitha nevojat teknike- teknologjike, si dhe do të prezantohen me ekspozitë të përhershme në këtë objekt kulturor. Në këtë mënyrë jo vetëm që do të shtohet një element plus për institucionalizimin e kulturës shqiptare në këto hapësira kulturore, por edhe një mundësi e vazhdueshme për të konsumuar art të mirëfilltë.
Ky muze të jetë në funksion të procesit edukativo-arsimor, si për institucionet shkollore ashtu edhe për institucionet universitare. Gjithashtu, me këtë muze do të kemi mundësi çka tu ofrojmë edhe delegacioneve të ndryshme nga Evropa dhe bota që vijnë në vendin tonë. Besoj se këto argumente janë të mjaftueshme për të mbështetur këtë iniciativë për themelimin e Muzeut “Omer Kaleshi dhe Adem Kastrati” në Shkup! Ky projekt është me përfitime të shumëfishta dhe shpresoj që institucionet kompetente do të gjejnë mënyrën për të realizuar këtë projekt shumë të rëndësishëm për kulturën në Republikën e Maqedonisë së Veriut. (koha.mk)