Orientimi properëndimor, që ka për qëllim edhe ruajtjen e vlerave që identifikojnë autenticitetin e tyre etnopsikologjik, do të jetë faktori përcaktues në gjeopolitikën e re rajonale. Shqiptarët me oksidentalizmin e tyre po ua nxjerrin nga dora trofetë e fundit populistëve, ndërkohë që ka mbetur edhe udhë shumë për t’u bërë në konsolidimin profesional dhe në riformatimin qytetar
Nga Emin AZEMI
Njerëzit që nuk kanë projekte, shumë lehtë gjejnë strehë në populizëm, atij që dikur i thoshin nacionalizëm. Epoka e nacionalizmit ka marrë fund, por përgjegjësia mbi ruajtjen e etnisë nga tendencat asimiluese që sjell globalizmi, është një betejë tjetër. Më civilizuese, më fisnike. Kjo është betejë e përbashkët e gjithë atyre që ndjehen të kërcënuar nga kulturat e mëdha monopolizuese, kurse qeveritë e shteteve që ndjejnë këtë rrezik e kanë për obligim, përveç fondeve, të caktojnë edhe ekipe ekspertësh që do të merreshin me ruajtjen dhe kultivimin e veçantive etnopsikologjike e kulturore të popujve.
Pra, ky nuk është nacionalizëm, as populizëm. Nëse e dëgjoni dikend të flet për tema të mëdha, por pa ofruar një ide, projekt a platformë se si të zgjidhet ajo temë, lirisht kualifikojeni si populist. Sepse vetëm populistët flasin për gjëra që kurrë s’arrijnë t’i realizojnë. Ja, bie fjala, çka ndodhi me populizmin e Millosheviqit në shekullin e kaluar. Ngricat e stepeve ruse që kishin mbështjellë këtë populizëm, u shkrinë brenda pak ditësh në vitin 1999, atëherë kur Aleanca Veriatlantike – NATO përcëlloi dhe përvëloi mustaqet me krahnez të populizmit primitiv serb.
Jo pak pinjollë të këtij lloj populizmi primitiv i ndeshim gjithkund sot në Ballkan, por si më me shumicë sërish ndodhen në viset serbishtfolëse. Populizmi në Beograd dhe në disa enklava serbe në Bosnje ende përdoret si infuzion për të mbajt gjallë politikat ditore, dhe fatkeqësisht kjo dredhi serbe ende nuk është kuptuar drejt nga Brukseli dhe disa qendra ndërkombëtare të vendosjes. Mjafton të analizohet situata e fundit në Kosovë, ku në qendër të një aksioni të madh policorë ishin disa grupe kriminale që po pasuroheshin duke zhvilluar beteja të paligjshme financiare. Ka mjaftuar ky aksion në Kosovës, që populistët në Beograd ta interpretojnë situatën në terren sipas dëshirave dhe sipas tezave të paramenduara për gjoja rrezikimin e popullatës civile serbe në Kosovë.
Çuditërisht, gjithë kjo sasi e pakontrolluar e populizmit serbe kalon pa u vënë re nga zyrtarët e Brukselit. Këta të fundit mjaftohen me disa komunikata balancuese që në përkthim të lirë kuptohet se krimi dhe lufta kundër tij janë njësoj të dëmshme për momentin. Kjo politikë joparimore e Brukselit ka triumfuar populzmin serb në Beograd dhe ka rrezik që pikërisht ky lloj populizmi të frymëzojë edhe një mori partish të ekstremit të djathë në Europë. Duke toleruar mykun populist në një skutë të Europës, Brukseli zyrtar vet po e promovon idenë e përhapjes së kësaj murtaje në gjithë Kontinentin e Vjetër.
Shqiptarët janë në rrugë të mbarë që të evropianizojnë qasjet e tyre, duke braktisur njëherë e përgjithmonë populizmin si ‘hakraba’ i të gjitha devijimeve socio-politike. Orientimi properëndimor, që ka për qëllim edhe ruajtjen e vlerave që identifikojnë autenticitetin e tyre etnopsikologjik, do të jetë faktori përcaktues në gjeopolitikën e re rajonale. Shqiptarët me oksidentalizmin e tyre po ua nxjerrin nga dora trofetë e fundit populistëve, ndërkohë që ka mbetur edhe udhë shumë për t’u bërë në konsolidimin profesional dhe në riformatimin qytetar. (koha.mk)