Prishtinë, 26 shkurt – Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ish-kryeministri, Isa Mustafa, vlerëson se Serbia nuk është e interesuar për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, ndërsa aq më pak ta pranojë pavarësinë e saj, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina, raporton gazeta KOHA.
Mustafa nënvizon se Beogradi “vazhdon të krenohet me dëmet” të cilat ia shkakton Kosovës në planin ndërkombëtar, siç është tërheqja e njohjes së Pavarësisë së Kosovës nga disa vende të caktuara dhe pengimi i anëtarësimit në Interpol.
“Politikat e fqinjësisë së mirë, paqe dhe stabilitet, për të cilat angazhohen vendet e Ballkanit Perëndimor, janë në kundërshtim me sjelljen e tillë (të Serbisë). Kjo sjellje nuk ka asgjë të përbashkët as me kërkesat e BE-së dhe të SHBA-së për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, me njohjen e ndërsjellë”, shkroi në Fejsbukun e tij lideri i partisë më të madhe opozitare të Kosovës.
Prandaj, konstaton Mustafa, “do të ishte mirë të lihet anash mentaliteti i trashëguar armiqësor dhe të punohet në krijimin e një ambienti në të cilin do të kontribuojmë për prosperitetin e qytetarëve tanë”.(koha.mk)