Prishtinë, 29 nëntor – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Fejsbuk ka kërkuar dorëheqjen e Qeverisë pas ngjarjeve të krijuara në veri të vendit.
Sipas tij, duke mos bërë asnjë veprim Qeveria e Kosovës në lidhje me ngjarjet në veri të vendit, po shihet qartë se po bëhen pjesë e projektit të ndarjes së veriut të Kosovës dhe se sipas tij, si duket presidenti nuk është vetëm në idenë e tij për korrigjim të kufijve.
“Institucionet e vendit nuk po sillen me përgjegjësi ndaj gjendjes së krijuar në veri të vendit. Sjellja, veprimet dhe mosveprimet e Qeverisë dhe të Kuvendit, pa marrë parasysh se çfarë deklaron Kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe disa ministra, po bëhen pjesë e projektit të ndarjes së veriut të Kosovës”, theksoi Mustafa.
Sipas Mustafës është e papranueshme që për efekte populiste e të fushatës të rrezikohet integriteti territorial dhe ushtrimi i pushtetit në terë territorin e vendit. Institucionet e tilla të papërgjegjshme duhet të japin dorëheqje dhe të shpërndahen.