Prishtinë, 24 shkurt – Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ka folur rreth kërcënimeve që deputetët e koalicionit kanë marrë ditëve të fundit, në rast të votimit të demarkacionit. Mustafa në emisionin “Euro Tribuna” me Menduh Abazin, ka thënë se me kërcënime të tilla, edhe po të mbushej sheshi nga Grandi e deri të Kuvendi nuk do ta frikësonin. Ai ka thënë se kërcënuesit anonim, po të ishin trima do shkonin dhe ta merrnin tokën të cilën supozojnë se po u mbetet jashtë kufirit. “Po të ishte Qakorri brenda Kosovës, tani ai do ishte brenda komunës së Pejës, por nuk e kemi, ai është jashtë kufirit”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës Isa Mustafa. Ai në emision tha se edhe barinjtë e dinë që Qakorri është jashtë Kosove. “Po të ishte në Pejë dhe demarkacioni i kufirit të lihej jashtë, çdokush do kishte arsye për kritika, mirëpo të gjithë e dinë se Qakorri është jashtë Kosovë, edhe barinjtë e dinë këtë gjë, se ku u kanë kullosë bagëtitë”, ka thënë Mustafa.