Mustafa Nano mund ta dashurojë Serbinë me Kosovën si pjesë të saj, por jo si guralec në opingën e tij. Serbia o Mustafa nuk të do ty, jo pse nuk ka nevojë për një mbrojtës të zjarrtë të Kushtetutës së saj në mes të Tiranës, por ajo tani e ka hallin se si t’i disiplinojë serbët e vet në Beograd që po kërkojnë hapur heqjen dorë nga Kosova, si kusht për normalizimin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe
Nga Emin AZEMI
Mustafa Nano para ca ditësh kishte shku në Beograd për të kërkuar një Serbi ideale. Një Serbi me të cilën Shqipëria do të kufizohej në Morinë. Një Serbi që do ta kishte afër Shqipërinë, jo për diçka tjetër, por për ta pasur më lehtë ta gjente gjeografin e ri Mustafa Nanon i cili po merrej me fshirjen nga harta e Ballkanit, Republikën e Kosovës. Në Tiranë ka si Mustafai edhe të tjerë që e duan Serbinë për shkak të Beogradit që iu duket si Parisi, Roma, Berlini, Madridi etj. Është ky kompleks i njohur i njerëzve inferiorë që gjejnë një mijë e një arsye për ta justifikuar gjendjen e tyre shpirtërore që është e barasvlershme me kërkesat minimaliste për të pasur një vend të rezervuar në ndonjë tavolinë kafeneje në “Beogradska Terazija”, ku mund të shoqërohesh me shlivovicë teksa vajtueshëm këndohet balada për ushtarin e plagosur që një ditë sërish do të kthehet në fushën me lulëkuqe të Kosovës për ta rimarrë në “gjiun e nanës Serbi”.
Kishim dëgjuar marrëzira të shumta të njerëzve në Tiranë që historinë po e trajtonin si një lëndë plasteline, që mund t’i japësh formë sipas legenit që ta jepnin të tjerët, por ja që tani na u shtua edhe gjeografia si lëndë e njerëzve të marrë që shkojnë në Beograd dhe deklarojnë se duhet përjashtuar Kosovën nga diskursi i marrëdhënieve të mira fqinjësore në mes të Serbisë dhe Shqipërisë. Në Beograd ka plotë intelektualë serbë që kur dëgjojnë marrëzitë e Mustafa Nanos habiten me sasinë e pakontrolluar të injorancës që ky njeri shpërndan teksa mundohet ta shohë çështjen shqiptare pa Kosovën si determinuese kryesore e marrëdhënieve shqiptaro-serbe.
Sot nuk është kurrfarë problemi t’i vardisesh dikujt dhe t’i shprehësh hapur ndjenjën e përulësisë, por është problem shumë i madh kur projekton realitete që as një diplomat perëndimor, madje asnjë intelektual liberal në Beograd nuk e përfill, nëse në atë projeksion Kosova paraqitet si pjesë e Serbisë. Mustafa Nano mund të jetë frymëzuar nga Kushtetuta serbe e cila Kosovën ende e trajton si pjesë integrale të Serbisë dhe vetëm aty mund të gjejë prehje ideja e tij për një marrëdhënie shqiptaro-serbe, e cila do të ishte shumë ideale po të mos ishte Kosova. Ai në Beograd tha se ka më shumë gjëra që i bënë të ngjashëm serbët dhe shqiptarët dhe sipas tij Kosova nuk do të duhej të shërbente si pengesë që Serbia e Shqipëria të kenë marrëdhënie të shkëlqyera. Nuk e di për cilat gjëra të ngjashme ka menduar Mustafai, por e di që shqiptarët në historinë e tyre asnjëherë nuk kanë ngulë pleq e fëmijë serbë nëpër hunj, siç bënë serbët në krahinën e Lumës e Dibrës gjatë luftërave Ballkanike, e di që shqiptarët asnjëherë nuk dhunuan vajzat serbe në sytë e nënave të tyre siç bënë kriminelët e Arkanit dhe Millosheviqit në Kosovë, e di që politikanët kosovarë as që u ka shkuar mendja të organizojnë ndonjë krim në mesin e shqiptarëve që pastaj t’i fajësojnë serbët, siç vepruan politikanët serbë, e di që asnjë diplomat i Tiranës nuk ka provuar të mohojë identitetin nacional e kulturor të serbëve, siç po bëjnë politikanët serbë të cilët nuk kanë lënë institucion ndërkombëtar pa trazuar në dëm të mëvetësisë së Kosovës dhe kulturës së saj, e di që nuk ka një autor a ideolog shqiptar të ketë hartuar ndonjë elaborat për shfarosjen e serbëve siç vepruan Çubrilloviqi, Gjorgjeviqi, Andriqi, Cvejiqi etj. Di edhe shumë pangjashmëri në mes të shqiptarëve dhe serbëve, ashtu siç di edhe jo pak virtyte të serbëve, por asnjëherë nuk më ka shkuar mendja ta barazojë shkallën time të përulësisë ndaj serbëve me tragjedinë e popullit tim që ia shkaktuan pikërisht pjesëtarët e atyre që paskan “gjëra të ngjashme me shqiptarët”.
Mustafa Nano mund ta dashurojë Serbinë me Kosovën si pjesë të saj, por jo si guralec në opingën e tij. Serbia o Mustafa nuk të do ty, jo pse nuk ka nevojë për një mbrojtës të zjarrtë të Kushtetutës së saj në mes të Tiranës, por ajo tani e ka hallin se si t’i disiplinojë serbët e vet në Beograd që po kërkojnë hapur heqjen dorë nga Kosova, si kusht për normalizimin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Për dallim nga demokratët serbë, Mustafa Nano nuk e konsideron Kosovën si kusht, por si hendikep të këtyre marrëdhënieve. Ky nuk është dallim i vogël konceptual, kurse ngjashmëritë që Mustafai i gjen në fantazinë e tij mund të jenë vetëm kartë-krediti për ndonjë projekt që do ta bënte atë me zyrë dikund në “Knjaz Mihajlova” në Beograd. Asgjë më tepër. (koha.mk)