Tiranë, 30 shtator – Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Ekrem Mustafa në një intervistë ekskluzive në RTV Ora deklaroi se është e “mundshme heqja e plotë e kufijve mes Shqipërisë dhe Kosovës”.
“Është projekt i mundshëm, grupet e punës kanë punuar platformën e propozimit. Grupet punuese janë mbledhur 7 ditë në Durrës dhe kanë punuar rreth kësaj platforme. Ne do të angazhohemi të mbrojmë kufijtë e jashtëm, që të kemi stabilitet ekonomik, makrofinanciar dhe të mos kemi evazion fiskal dhe të ruajmë rendin dhe sigurinë e shteteve që përqafojmë. Këtë nismë e kemi kërkuar në të gjithë rajonin, dhe në të ardhmen e kemi planifikuar që të jetë një lloj liberalizimi i lëvizjes në të gjithë rajonin”, ka thënë Mustafa.
Ai u përgjigjet edhe në pyetjen nëse Tirana dhe Prishtina janë konsultuar për Shengenin ballkanik.
“Këto konsultime kanë nisur që në mbledhjen e fundit mes dy shteteve, dhe si projekt ka dalë nga ajo mbledhje, por ne gjithsesi duhet të përgatitemi për BE dhe integrimin në BE. Në BE kufijtë nuk ekzistojnë. Duhet të përgatisim dhe të trajnojmë dhe ekipet tona që të në tardhmen të jenë të përgatitur për integrimin në BE”, është përgjigjur Mustafa.
Ai lartë e vlerëson bashkëpunimin e policisë së dy vendeve dhe unifikimin e vendkalimeve kufitare.
Polici i parë i Kosovës i cili në Shqipëri po qëndron në shenjë të solidaritetit me të pësuarit pas tërmetit të fuqishëm që e ka goditur vendin më 21 shtator, u takua me presidentin Ilir Meta, me kolegun e tij Sandët Leshaj, ndërsa e vizitoi edhe Maminas, njërën prej zonave më të prekura nga tërmeti.(koha.mk)