Delvina KËRLUKU
Mustafa Ibrahimi u lind më 5 janar 1967 në fshatin Cërnilishtë të Prilepit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të gjitha shkollimet tjera: gjimnazin, fakultetin, ciklin e II dhe III i kreu në Shkup. Në vitin 1990, pasi u kthye nga ushtria, u punësua në vendlindje si mësues i grupit klasor, sepse në ndërkohë mbaroi edhe Akademinë Pedagogjike. Në vitin 1997 mori gradën magjistër i shkencave filologjike dhe pas 8 vjet mësues në fshat, vendosi të kthehet përsëri në Shkup, tani si magjistër. Fillimisht në vitin 1998 u punësua në gazetën FAKTI si lektor dhe gazetar, sepse disa vjet ishte korrespondent i kësaj gazete nga Prilepi dhe Krusheva. Nga viti 1999 deri 2001 do të punoj si profesor i gjuhës shqipe në gjimnazin “Zef Lush Marku”, pikërisht aty ku edhe kishte mbaruar gjimnazin. Doktoroi në vitin 2001 dhe po atë vit, me gradën doktor shkence konkurroi dhe u pranua si ligjërues në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, ku punon edhe sot. Ligjëron në të gjitha ciklet, duke ligjëruar lëndët: Dialektologji, Sociolinguistikë, Leksikologji, Etnolinguistikë, Multikulturalizëm dhe multilingualizëm, Retorikë etj. Ka marrë pjesë në rreth 130 konferenca shkencore ndërkombëtare në vend, rajon dhe më gjërë. Deri më tani ka botuar 20 vepra, kryesisht monografi, studime, projekte dhe përmbledhje punimesh, disa edhe ribotime.
KOHA: Ju vini nga fshati Cërnilishtë, Komuna e Prilepit. Në këtë rajon ka edhe shumë fshatra tjerë shqiptarësh, për të cilat opinioni më i gjerë i shqiptarëve dëgjoi krejt vonë. Në fakt, cila është historia e këtyre fshatrave?
IBRAHIMI: Jo vetëm në territorin e Prilepit, por edhe në tërë rrafshnaltën e Pellagonisë, fshati Cërnilishtë konsiderohet si fshati më i madh i banuar pastër me shqiptarë. Si i tillë, ai u ka mbijetuar regjimeve dhe pushteteve të ndryshme, fatmirësisht ky fshat sot është bërë fole e shumë intelektualëve të fushave të ndryshme të jetës. Në kuadër të Komunës së Dollnenit përfshihen 37 vendbanime, me gjithsej 13.568 banorë me përbërje të përzier nacionale. Sipas regjistrimit të vitit 2002 në Komunën e Dollnenit jetojnë: 4871 maqedonas (ose 36,57%); 3616 shqiptarë (ose 26,37%); 2597 turq (ose 18,94%); 2380 boshnjakë (17,36%) dhe të tjerë (0,55%), prej tyre 13 romë, 16 serbë dhe 75 të tjerë. Sipas regjistrimit 2002, popullsia më kompakte shqiptare jeton në fshatrat: Cërnilishtë (1720), Zhitoshë (1200), Desovë (309), Peshtalovë (150), Debresh (150), Llazhan (100) dhe Gostirazh (63). Duke u bazuar vetëm në historianët bullgarë dhe serbë, qyteti i Prilepit është shumë i lashtë, ka qenë i banuar që nga periudha parahelene. Disa mendojnë se ka qenë i banuar nga fiset peone, disa nga pellagonët e deureopët, e sipas disave, pjesët periferike në perëndim dhe veri (pikërisht aty ku jetojnë edhe sot shqiptarët) kanë qenë të banuara nga fiset ilire. (Prilep i Prilepsko I 1971, f.35-37). Shaldevi pohon se “qytetin e Prilepit, romakët e kanë marrë nën kontroll nga thrakasit dhe ilirët. Haxhivasiljeviqi shkruan se më 1230 Car Aseni e ka marrë Prilepin nga epirotasit. Në qytetin e Prilepit shqiptarët, kanë pasur lagjet dhe xhamitë e tyre si: “Arnaut Mëhallën” dhe “Arnaut Xhaminë”. Haxhivasiljeviqi pohon se “Midis turqve dhe shqiptarëve me fe myslimane që kanë jetuar në qytet, ka qenë shumë vështirë të bëhet dallim, sidomos tek familjet më të vjetra të qytetit, sepse ato familje sapo kanë ardhur në qytet, janë shndërruar në turq, ashtu siç janë shndërruar edhe shqiptarët krishterë në sllav dhe grek”. Edhe nga Trajçevi, mësojmë se në qytet nuk ka pasur grek, por grekoman të përkrahur nga vllahët dhe krishterët shqiptar. Vlen të përmenden edhe veshjet e shqiptarëve në qytet. Kështu historiani bullgar Eniqerev shkruan: “shqiptarët vishen me poture të shtrënguara (kollçakli) me xhepa natyror dhe të mbuluar me thekë shqiptare (floka). Në vend të feseve moraliste, disa prej tyre në kokë mbajnë keçe të rrethuar me shami të gjelbër”. Haxhivasiljeviqi shkruan se: “Në qytetin e Prilepit qytetarët në kokë mbajnë fese ose keçe. Keçja është e endur dhe në të shumtën e rasteve është me ngjyrë të bardhë”.
KOHA: Të kthehemi pas në kohë. Si ishte fëmijëria juaj. A ju kujtohet dita e parë në shkollën fillore, mësuesi i parë..?
IBRAHIMI: Duke ditur bukuritë që ofron pjesa veriore e rrafshnaltës së Pelagonisë, aty ku shtrihet edhe fshati im, i rrethuar me malet: Klepallë, Baçilishtë, Balltinë, Ftosinë, me fushat e mëdha si: Bashineci, Livadhet, Çamojca, Kopaçajna, Mullajni si dhe lumi që kalon afër fshatit, janë vende ku u rrita dhe kalova një fëmijëri të lumtur dhe të gëzuar. Ishte tjetër kohë, sepse me shokët ishim tërë ditën në natyrë, qoftë duke luajtur lojëra, qoftë duke kullotur bagëtinë, duke mbjellë duhan, duke korrur e kositur, duke shkuar në peshkim ose duke u larë në lumë. Shkollën fillore e mbarova në fshat “Ismail Qemali”, atëherë “Petre Gliguroski”. Mësuesi im i parë ishte Nazif Abazi, i cili së bashku me Musa Polisin, Sabit Tushin, Enver Hoxhën etj, ishin mësuesit nga Struga, që na mësuan shkrim-leximin dhe edukimin e duhur për jetën që na priste. Për këtë të gjithë mësuesve u jemi falënderues dhe mirënjohës. I vështirë ishte shkollimi tetëvjeçar. Mbi 250 nxënës nga klasa V-VIII, çdo ditë herët në mëngjes ecnim në këmbë nga 3 kilometra për të arritur në shkollën qendrore që gjendej në fshatin Kostincë, i banuar me maqedonas. Ky fshat me 200-300 banorë dhe vetëm me 20-30 nxënës kishte shkollën qendrore, ambulancën, postën, njësinë e zyrës civile dhe sallën e kinemasë! Përveç kësaj, mbi 50 për qind të lëndëve i ndiqnim në gjuhën maqedonase. Falë tre arsimtarëve të fshatit: Rexhepit, Samedinit dhe Shefikut dhe më vonë edhe mësues tjerë nga vise tjera, shkollimi shqip arriti të mbijetojë deri sot. Në këtë situatë e mbarova shkollimin tetëvjeçar me shumë sukses.
KOHA: Më pastaj erdhi shkollimi i mesëm, fakulteti, vendosja në Shkup, punësimi i parë…Cila ishte trajektorja e kësaj faze të jetës Suaj?
IBRAHIMI: Shkollimin e mesëm e mbarova në Shkup, në gjimnazin “Zef Lush Marku”. Ishte qershor 1980, kur për herë të parë zbrita në stacionin e vjetër të trenit dhe u nisa drejt gjimnazit, ku duhej të mbahej provimi pranues. Pasi u pranova, ishin katër vitet më të vështira në jetën time. Ishte vështirë të adaptoheshim në atë moshë jo vetëm me jetën urbane të qytetit, por edhe me paragjykimet që ekzistonin. Si 14-15 vjeçar u ballafaqova për herë të parë me nacionalizmin e tërbuar ndaj shqiptarëve, që ishte në rritje e sipër, sidomos pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë. Këtë nacionalizëm-shovinizëm të asaj kohe e takoja kudo, në lagjen “Karposh” ku banonim me qira, në mensë, në tren, në media etj.. Në këso rrethanash, mezi e prisnim ditën e premte, dhe orën 14 e 30 kur duhej të nisej treni për Prilep dhe diku rreth orës 17 arrinim në shtëpi, ku kënaqeshim pranë gjirit familjar. Nga ana tjetër, ishte ankth i vërtetë kur duhej të ktheheshim përsëri në Shkup. E prisnim trenin e fundit, ditën e hënë në orën 3 e 30, vetëm e vetëm të shfrytëzonim edhe ndonjë minutë në shtëpi. Megjithatë, edhe gjimnazin e mbarova me sukses. Gjatë studimeve në Fakultetin Filologjik e më pas edhe në Akademinë Pedagogjike në Shkup, gjërat kishin ndryshuar, tani më isha ambientuar, kisha shumë shokë dhe tani më, më tërhiqte Shkupi.
KOHA: Përse u përcaktuat që ta studioni gjuhën shqipe dhe cilat janë karakteristikat e të folmes së fshatrave shqiptare të rajonit të Prilepit dhe Krushevës?
IBRAHIMI: Që si gjimnazist më interesonte folklori, dialektet, toponimet, fjalët e rralla dhe frazeologjizmat, pra gjithçka që lidhej me gjuhën shqipe. Andaj shumë lehtë ishte të përcaktohem, dhe nuk gabova, sepse dashuria për studimet albanologjike nuk u shuan deri sot. Edhe vetë teza e masterit dhe disertacioni i doktoratës lidhen me studimet gjuhësore të kësaj të folme. Deri më tani kam botuar 5 monografi që lidhen me folklorin, të folmen dhe toponiminë e kësaj ane, siç janë: Thesari folklorik shqiptar nga rajoni i Pelagonisë (2003); E folmja shqipe e rrethit të Prilepit dhe Krushevës (2005); Fjalë dhe shprehje popullore nga rrethi i Prilepit, Krushevës dhe Velesit (2007); Miktrotoponimet e vendbanimeve shqiptare në rrethin e Prilepit, Krushevës dhe Velesit (2010) dhe Proza gojore shqiptare në trevat e Prilepit dhe Krushevës (2017). Nga studimet e mia të deritashme, e folmja e Prilepit dhe Krushevës është një e folme kalimtare, sepse aty gjejmë gërshetime të tipareve dialektore edhe të gegërishtes edhe të toskërishtes. Tipare të përbashkëta dialektore gege lidhen me të folmet e Dibrës dhe Kërçovës, kurse tiparet toske lidhen me të folmet e Korçës dhe Përmetit. Duke u gjendur në një hapësirë më të izoluar nga të folmet tjera shqipe, kjo të folme ka krijuar dhe ka ruajtur inovacione të veçanta dhe forma arkaike që nuk hasen në asnjë të folme tjetër. Po japim disa tipare dialektore gege dhe toske të kësaj të folmeje. Si vija më të përgjithshme gege që e karakterizojnë këtë të folme do t’i përmendim: Mungesën e tingujve hundorë; Diftongimin sekondar të zanoreve të theksuara i>ai, u>au dhe y>ay, p.sh.: (mair<mirë), (nause<nuse) dhe inovacionin që nuk e hasim në asnjë të folme tjetër shqipe, diftongimi i tingullit y>ay (ayll<yll, fayt (<fyt); Paraqitjen e dy diftongoideve tek zanoret: e>ie (t iel<tel, q ielp <qelb) dhe u>uo (t uorb<torbë, vuorb<vorbë); Monoftongizimin e diftongjeve dhe diftongimi i tyre sekondar: ye > y > ay : pyes > pys > pays,; ie > y > ay : miell > myll > mayll; i > y > ay : krip > kryp > krayp,; Inovacion të veçantë kemi te përemrat pyetësor: cëri, cërra, cërët; përemrat e pacaktuar: cërido, cërëtdo, sëcëri (për cili, cila, cilët, cilitdo, secili); Foljet sigmatike në kohën e kryer të thjeshtë e kanë ruajtur grupin ae, por me futjen e vokalit epentetik -v-: pave, rave, thave; karakteristike është edhe shumësi me prapashtesën –inja (fletorinja, shishinja, qerinja) etj;
Nga tiparet dialektore toske që i hasim në të folmen e Prilepit dhe Krushevës do t’i kishim veçuar: E pakryera bëhet si në të folmet e Korçës, Kolonjës, Pogradecit: lexuonja, punuonja, knuonja, lanja, manja; Përdorimi i paskajores si në dialektin toskë: për t’punau, për t’mendau, për t’lujt; Si në toskërishte i përgjigjet kur nuk përdoret pjesëza të por vetëm do: do shesim, do lujm, do kënaqemi; Edhe lidhorja është në toskërishte: t’lanja, t’vinja, t’punuonja, t’iknja; Format; shtrajeshte (shtrihej), tremeshte (trembej), i qaeshte (i qahej), laeshte (lahej) janë toske; Foljet në të kryerën e thjeshtë (aoristi) që dalin me mbaresën –jti (lajti “lau”), -jtëm (lajtëm “lamë”, thajtëm “thamë”, dajtëm “damë” i përgjigjen prapë toskërishtes; Janë ruajtur forma arkaike si: ndajfolja parthin që e gjejmë të përdoret në fshatin Cërnilishtë të Prilepit, përdorim të gjerë ka edhe në të folmet toske, arbëreshe dhe çame me formën parëthin (parthi – pak më parë) etj.
KOHA: Sa larg u dëgjua “Zëri i Pellagonisë”, të cilën revistë e themeluat Ju?
IBRAHIMI: Numri i parë i revistës për kulturë, art dhe shkencë “Zëri i Pelagonisë” doli në mars të vitit 2002, falë përkrahjes së kolegut tim, prof.dr. Vebi Bexhetit, i cili atëherë si drejtor i Agjencisë së Informatave më ndihmoi ta regjistrojmë dhe të botojmë disa numra. Kontribut të madh dha edhe prof.dr. Seadin Xhaferi, atëherë si drejtor i Agjencisë së Emigracionit. Deri më tani janë botuar 41 numra ku janë përfshi 466 artikuj, nga 90 autorë. Prej tyre 64 autorë nga Maqedonia, 15 nga Shqipëria, 5 nga Kosova, 4 nga SHBA dhe me nga një nga Romania dhe Italia. Revista “Zëri i Pelagonisë” për pesëmbëdhjetë vjet radhazi ishte dhe ende është zëdhënësja e vetme e shqiptarëve të Pelagonisë, duke prekur çështjet më thelbësore të problemeve që e preokuponin këtë popullatë dhe shqiptarët në përgjithësi. Shumë nga ato çështje edhe u realizuan ose janë në përfundim e sipër. Shpresojmë pas dy vite pushimi, Ministria e Kulturës përsëri të vazhdojë ta përkrah këtë revistë të vetme të shqiptarëve të Pellagonisë.
KOHA: Në vizita pune, Ju disa herë keni qëndruar midis arbëreshëve të Italisë. Si e përjetuat takimin e parë me ta dhe çka në fakt kuptuat për qëndresë e tyre që me shekuj ta ruajnë gjuhën dhe identitetin?
IBRAHIMI: Dëshira për t’u takuar me atë pikë të largët të trungut tonë, siç janë arbëreshët e Italisë, u bë realitet në vitin 2006. Më pas, së bashku me studentët e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të UEJL-it, realizuam edhe katër ekspedita tjera radhazi. Me këto hapa të guximshme e bëmë ëndrrën realitet, sepse për së afërmi pamë se ç’forcë kishte ajo “copë toke” që edhe pas 500 vjet larg vendlindjes dhe të humbur në një mjedis të huaj, kishte një kujtesë të fortë për kulturën, gjuhën, traditën dhe historinë e të parëve të tyre dhe për Arbërinë. Si rezultat i këtyre ekspeditave, në vitin 2008 botova edhe librin “Shënime udhëtimi mes arbëreshëve të Italisë”. Gjatë këtyre ekspeditave vizituam mbi 20 katunde arbëreshe që u takojnë 3 provincave. Në provincën e Kozencës vizituam katundet: Firmoza, Çifti, Fallkunara, Frasnita, Ungra, Maqi, Shën Mitër Korona, Shën Benedhiti, Strigari, Mbuzati, Shën Sofia, Spixanë dhe Vakaric. Në provincën e Krotones: Karfici, Puhëriu, Garafa dhe Shën Kolli dhe në krahinën e Bazilikatës në provincën e Potencës vizituam dy katundet: Shën Konstandini dhe Shën Pali. Gjuhën, kulturën dhe traditat e tyre i kishin ruajtur nëpërmjet: meshave shqipe në kishat arbëreshe, botimeve të revistave, librave, CD-ve në gjuhën arbëreshe, nëpërmjet radio dhe TV lokale me programe arbëreshe, nëpërmjet mbishkrimeve dygjuhësore arbëreshe dhe italiane, qoftë në hyrje të katundeve, por edhe nëpër shkolla, rrugica, firma dhe institucione tjera. Çdo katund kishte muze dhe bibliotekë, ku ruhej kultura materiale dhe shpirtërore, si: veshjet, veglat e vjetra, këngët, vallet, traditat dhe zakonet tradicionale arbëreshe. Rol të rëndësishëm kanë ruajtur edhe katedrat albanologjike në Kozencë, Napoli, Bari etj.. Për këtë profesor Françesko Altimari thotë: “Në sajë të punës së vyer didaktike e shkencore të nisur nga mjeshtri ynë i paharruar, i ndjeri prof. Françesko Solano, i cili praktikisht e themeloi Katedrën tonë më 1975, në Universitetin e Kalabrisë është krijuar një qendër e rëndësishme albanologjike dhe një qendër dokumentacioni shkencor për bashkësitë e shumta arbëreshe të kësaj krahine të Jugut të Italisë, të cilat përfaqësojnë pothuajse dy të tretat e popullsisë së minoritetit arbëresh që sot jeton në Itali”. Kjo pjesë e trungut tonë, sikur ka një thirrje magjike me frazat, “Gjaku ynë i shprishur” dhe “Ne jemi tanët”, të cilët përsëri na ftojnë t’i vizitojmë.
KOHA: Ne kërkojmë shtrirje me të gjerë të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore të Maqedonisë, ndërkaq po ne me këtë gjuhë abuzojmë deri në përmasa të paimagjinueshme. Çka duhet që ata të mbarojmë, ta respektojmë dhe ta kultivojmë ashtu siç duhet?
IBRAHIMI: Për ta mbrojtur gjuhën shqipe nevojitet një planifikim dhe politikë të përhershme gjuhësore. Së pari duhet përcaktuar statusin e saj nëpërmjet ligjit dhe përcaktimin e kriterit autoritativ për mbrojtjen e saj me ligj, jo vetëm për ta përdorur drejtë, por edhe për ta kultivuar gjuhën shqipe atje ku gjen zbatim. Mungesa e precizimit të ligjeve të posaçme që kanë të bëjnë me zgjidhjen e statusit të shqiptarëve në Maqedoni, tejmase po mban në qendër të vëmendjes fobinë, e cila aplikohet në çdo sferë shoqërore dhe institucionale, por edhe në jetën private. Shumica e institucioneve të Maqedonisë jo vetëm që nuk praktikojnë gjuhën shqipe, por edhe refuzojnë zbatimin e saj. Këtë më së miri e kemi theksuar së bashku me kolegun Berton Sulejmani në librin Mbishkrimet në firmat private dhe institucionet publike në qytetin e Shkupit (2016). Të gjitha shtetet evropiane, tani më kanë hyrë në një fazë të re, në atë të bashkëpunimit e koordinimit të tyre. Në qershor të vitit 2002 një organizëm evropian me emrin “Federata Evropiane e Institucioneve Gjuhësore Kombëtare”, kanë bashkuar institucionet (akademitë, institutet etj.) më të rëndësishme gjuhësore të 15 vendeve të BE‐së, me synimin për t’i mbrojtur gjuhët kombëtare dhe për ta mbrojtur shumë-gjuhësinë në Evropën e bashkuar. Andaj edhe në Maqedoni për t’i mbrojtur gjuhët kombëtare dhe shumë-gjuhësinë, duhet të intervenohet dhe plotësohet neni 7 i amendamentit V, paragrafi i parë, i cili duhet të jetë “Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare janë gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik dhe gjuha shqipe dhe alfabeti i saj latin”. Me këtë politikë gjuhësore do të mbrohen gjuhët kombëtare të dy popujve më të mëdhenj në Maqedoni, gjuha maqedonase dhe shqipe, duke mbrojtur shumë-gjuhësinë në Maqedoni.
KOHA: Jeni profesor në UEJL. Sistemi i arsimimit tonë pothuaj është i rrënuar tërësisht, ndërkaq për këtë konstatim ekzistojnë me qindra argumente? Çfarë duhet bërë që kjo gjendje sado pak të riparohet?
IBRAHIMI: Sistemit tonë arsimor i nevojiten reforma rrënjësore në të gjitha nivelet, duke filluar nga shkollimi fillor, të mesëm dhe ai universitar. Duhet ndryshuar politikat arsimore për regjistrim, për vlerësim dhe për punësim. P.sh. Shteti norvegjez harton plane se sa do jetë numri i studentëve në drejtime të caktuara. Studimet sillen sipas përpjesëtimit 70 për qind drejtime që lidhen me detarinë (turizëm, ndërtim anijesh, riparim, peshkatari etj.) dhe 30 për qind profesionet tjera intelektuale që ka nevojë shoqëria. Finlanda me vendin e saj të parë në Evropë dhe vendin e 3-4 në nivel botëror, ka sistem arsimor më të përkryer, falë reformave rrënjësore në arsim, së pari duke caktuar rroga më të larta për punonjësit arsimorë, duke bërë përzgjedhjen e kandidatëve më të mirë dhe më cilësorë si mësimdhënës, duke përcaktuar vetëm 10 nxënës në një klasë e kështu me radhë. Në Australia janë të fokusuar në punën praktike, kurse vlerësimin e bëjnë me në mënyrë përshkruese. Pas mbarimit të shkollimit të mesëm, shumë nxënës regjistrohen në kurse 6 mujore ku marrin licenca për profesione të caktuara, ku më pas shteti i stimulon dhe u ndihmon të punësohen ose të fillojnë me biznese private. Edhe në Maqedoni duhen planifikime të tilla të shëndosha, ku në pah do të vijnë vlerat e mirëfillta profesionale. Të rinjve duhet t’u garantohet aftësia e tyre me punësime të menjëhershme dhe të vlerësohen dhe mbrohen drejt aftësitë e tyre profesionale.
KOHA: Sa familja ndikoi në formësimin tuaj. Dhe, a ka formim njerëzor jashtë kulturës dhe jashtë historisë?
IBRAHIMI: Jo rastësisht thuhet se familja është boshti dhe çelësi i suksesit të një personaliteti. Pa përkrahjen e bashkëshortes Gjylsimes dhe dy djemve, Besnikut dhe Gazmendit, por mos harroj edhe të prindërve më parë, nuk do ta kisha arritur këtë sukses. U jam mirënjohës për durimin dhe përkrahjen prej fillimi e deri sot. Formësimi njerëzor dhe intelektual nuk mund të krijohet jashtë kulturës dhe historisë, duke ditur se pesha e kulturës më tepër ka të bëjë me sferën shpirtërore të njeriut. Mendoj se kultura shqyrton mënyrën e jetës shoqërore, komunikimin, punën dhe krijimtarinë. Thënë shkurt, kultura është masë dijesh dhe vlerash të pranuara e të përjetuara nga një shoqëri, ku si faktor i domosdoshëm dhe i rëndësishëm është gjuha që lidhet edhe me historinë dhe etnogjenezën e një populli. Me këtë rast dua t’i njoftoj lexuesit tuaj me dy librat që sapo pritet të dalin në dritë. Vepra e parë titullohet “Nënë Tereza në filatelinë botërore” dhe e dyta “Proza gojore shqiptare nga treva e Prilepit dhe Krushevës”.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara