Mustafa gjashtë muaj jashtë parketit

23

Njëri ndër lojtarët më perspektiv shqiptar i skuadrës së Trakya nga Turqia Alaudin Mustafa, ka pësuar një lëndim të rëndë, ku ka këputur ligamentin e këmbës së djathtë. Për gazetën KOHA, Mustafa bëri të ditur se pas festave të fundivitit do të operohet, ndërsa në parket pritet të rikthehet pas gjashtë muajve.

“Lëndimin e pësova një ndeshje ndaj skuadrës nga Stambolli, ‘T.O.B Istanbul” para tre jave. Pas një aksioni ku unë isha në sulm dhe kisha pozicion për ngulitje, por në momentin që po bëhesha gati të ngrihem, më iku gjuri anash. Në ato momente ndjeva një dhimbje ndryshe nga dhimbjet tjera që i kam pas. Isha i sigurt se bëhet fjalë për ndonjë lëndim serioz dhe me veturën e ndihmës së shpejtë më dërguan në spital. Pasi i bëmë analizat, ato nuk treguan diçka serioze, pasi ende isha i nxehur, mirëpo dhimbjet filluan më vonë. Pasi vendosëm që tu nënshtrohem analizave tjera, pamë që ligamenti është i këputur dhe më rekomanduan që ti nënshtrohem ndërhyrjes kirurgjikale”, shprehet për KOHA Mustafa.

Ai  thotë se gjurin do ta operoj pas vitit të ri. “Ndërhyrjen kirurgjikale mendoj ta bëj pas vitit të ri. Ende nuk e kam caktuar se ku do të operohem, por sipas gjitha gjasave do të operohem në Stamboll, por si opsion është Maqedonia. Bëhet fjalë për një lëndim serioz, ku gjashtë muaj do të jem jashtë parketit. Në tre muajt e parë nuk do të zhvilloj asnjë aktivitet , ndërsa tre muajt e tjerë do të vazhdoj me vrapime të lehta dhe më pas varësisht se do të vijojnë punët, do të rrjedh rehabilitimi. Sinqerisht është hera e parë që po përballem me këtë lloj të lëndimit. Jam i vetëdijshëm që sporti sjell lëndime prandaj jam i gatshëm të përballoj edhe këtë. Jam i ri, kam 21 vjeç dhe kam vullnet dhe forcë për të përballuar këtë”, deklaroi basketbollisti shkupjan. (koha.mk)

Comments are closed.