Prishtinë, 21 janar – Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa deklaroi se deri në fund të kësaj jave duhet të arrihet marrëveshje për formimin e qeverisë së përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje (VV), ose në të kundërtën, të konstatohet se nuk ka kushte për këtë, informon korrespondenti i MIA-as nga Prishtina.
Pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së partisë, në të cilën u shqyrtua situata rreth negociatave me VV-në, si parti fituese e zgjedhjeve të tetorit, pasi lideri i saj Albin Kurti e mori mandatin për përbërjen e Qeverisë, Mustafa porositi se LDK-ja mbetet e përkushtuar në arritjen e marrëveshjes, por se gjatë kësaj duhet të respektohet vullneti i qytetarëve.
“Ne mbetemi të përkushtuar që të punojmë për arritjen e marrëveshjes, megjithatë ajo duhet të jetë marrëveshje e cila e respekton vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e tetorit. Ne vlerësojmë se marrëveshja duhet të rezultojë me qeveri të balancuar dhe me përgjegjësi mes të dyja palëve, në bazë të besimit të cilin na e dhanë qytetarët”, deklaroi Mustafa.
Ai tha se është në kontakt të vazhdueshëm me Kurtin, por vlerëson se duhet të ulen dhe të merren vesh “se a do të ketë ose nuk do të ketë marrëveshje”, mes të dyja partive.
“Ne dhamë propozim i cili vlerësojmë se është shumë i balancuar dhe mendoj se VV-ja duhet ta trajtojë me kujdes të veçantë. Mbetemi të hapur që të bisedojmë, por kjo të ketë rezultat sa më të shpejtë, deri në fund të kësaj jave të merremi vesh ose të konstatojmë se nuk ka kushte që të arrihet marrëveshja”, deklaroi Mustafa, duke theksuar se LDK-ja “gjithsesi ka vullnet për rrumbullakimin e marrëveshjes”.
Partitë e deritanishme opozitare VV dhe LDK fituan në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të mbajtura më 6 tetor në Kosovë, me atë që partia e Kurtit fitoi 26,27, përderisa ajo e Mustafës 24,55 për qind të votave.(koha.mk)