Shkup, 30 janar – Ende pa u shpallur data për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale, opozita ka dalë me dyshimet për manipulimin e mundshëm të tyre, nëse paralelisht me presidencialet nuk mbahen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski ka thënë për mediat se në rast të mbajtjes edhe të zgjedhjeve parlamentare, do të ketë Qeveri teknike, ashtu siç parashihet me Ligjin për qeverinë, ku resorin e Punëve të Brendshme do ta udhëheqë opozita dhe me këtë do të pamundësojë keqpërdorimin e procesit zgjedhor. Se zgjedhjet mund të manipulohen, Mickovski ka përmendur referendumin, ku sipas tij, janë vjedhur ndërmjet 40 deri 50 mijë vota.
Nga partitë në pushtet LSDM-ja, këto pretendime i kanë quajtur tendencë të opozitës për mospranimin e presidentit të ri, që sipas tyre, do të jetë nga radhët e partive në pushtet.
Albert Musliu, drejtues i Asociacionit për Iniciativa Demokratike që merret me promovimin e vlerave demokratike, në një deklaratë për Radio Evropën e Lirë ka thënë se ky qëndrim i VMRO-së më tepër ka të bëjë me krijimin e ndonjë alibie në rast të humbjes së zgjedhjeve sesa mashtrime të mundshme zgjedhore.
“Mendoj se bëhet fjalë për krijimin e një alibi për rezultatin ne zgjedhjeve presidenciale, pasi nuk është fshehtësi se VMRO-DPMNE-ja pasi gjithë asaj nëpër të cilën ka kaluar nuk ka ndonjë kapacitet për të fituar zgjedhjet. Gjasat janë shumë minimale dhe këtë e shoh si mënyrë të saj të përgatitjes për t’i hedhur tjetërkujt fajin për humbjen e zgjedhjeve”, thotë Musliu, duke shtuar se bojkoti bie ndesh me politikat e saj edhe për faktin se në një situatë tillë vendi do të drejtohej nga një president i përkohshëm, e që në këtë rast do të ishte kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, të cilin VMRO-ja nuk e njeh si kryeparlamentar, transmeton koha.mk
“Nëse VMRO-ja shkon drejt realizimit të ndonjë strategjie të saj për moszgjedhjen e presidentit, kjo gjithsesi se do të shkonte në favor të kreut të Kuvendit, i cili në një situatë të tillë do të merrte edhe detyrën e presidentit të përkohshëm. Këtë a thua si do të sqaronte VMRO-ja para elektoratit të saj, prandaj nuk besoj se do të bënin një eksperiment të tillë të bojkotit të zgjedhjeve me qëllim të moszgjedhjes së presidentit”, thotë Musliu.
Përndryshe, data e zgjedhjeve presidenciale duhet të publikohen në javën e parë të muajit shkurt, ndërsa ato do të mbahen në muajt prill dhe maj, në dy rrethe zgjedhore. Por, ende mbetet e paqartë nëse do të ketë edhe zgjedhje parlamentare. Opozita kërkesën e ka dorëzuar në Kuvend, por partitë në pushtet ende nuk kanë një përgjigje të prerë pasi në mbledhjen e fundit organet partiake të Lidhjes Social Demokrate (LSDM) kanë autorizuar kryeministrin, Zoran Zaev dhe kryesinë e ngushtë që të thonë fjalën përfundimtare. (koha.mk)