Nga Torino,
Bujar KURTAJ
Torino – 6 tetor – Përfaqësuesja e Maqedonisë sonte me fillim në ora 20.45 në stadiumin Olimpik të Torinos, do të përballet me kampionin e katërfishtë të botës Italinë, në kuadër të përballjes së parafundit të ciklit kualifikues për Kampionatin Botëror në Rusi vitin e ardhshëm.
Djemtë e seleksionuesit Igor Angellovski pa asnjë ngarkesë do të hynë në këtë ndeshje duke marr parasysh se gjasat për dy vendet e para që moti i kanë humbur, për dallim prej Italisë, të cilës i duhet fitorja për të ruajtur gjasat me Spanjën për vendin e parë, derisa kjo e fundit kryeson në tabelën e klasifikimit me 22 pikë, tre më shumë se Italia. Ndryshe Spanja të premten do të pret Kombëtaren e Shqipërisë.
Verdhekuqtë në Torino janë prej të mërkurës dhe janë maksimalisht të përgatitur për këtë sfidë, në të cilën do të tentojnë të bëjnë befasi, ose në një farë mënyrë tu hakmerren “axurrëve” për disfatën në Shkup me 2-3. Kujtojmë, Maqedonia me golat e Nestorovskit dhe Hasanit kishte epërsi me 2-1, por me golat e Imobiles në minutën e 75 dhe 90, përmbysën rezultatin dhe arritën fitore.
Ndryshe në taborin e Maqedonisë Angellovski ka përfshirë pesë futbollist shqiptar, ndërsa pos Arian Ademit, i cili nuk ka të drejtë të luajë, katër të tjerët Ferhan Hasani, Enis Bardhi, Ezgjan Alioski dhe Visar Musliu do të jenë të gatshëm për lojë. Pikërisht ky i fundit, i cili gjendet në formë jashtëzakonisht të mirë, thotë se nuk do të dorëzohen deri në fund, pa marr parasysh se Italia është një skuadër e fortë.
“Na pret një ndeshje mjaftë e vështirë ndaj Italisë. Jemi të vetëdijshëm për kualitet që i ka kjo skuadër dhe kualitetet e tyre individuale. Por, kjo nuk donë të thotë se ne do të dorëzohemi para kohe, do të japim maksimumin në fushë dhe me pak fat besoj se mund të nxjerrim rezultat pozitiv”, pohon për gazetën KOHA, Musliu, i cili shpreson që Angellovski do ti jep mundësi të luajë ndaj “axurrëve”.
“Shpresoj se seleksionuesi Angellovski do të më jep mundësi të luaj. Jam maksimalisht i përgatitur të jap maksimumin që t’ia shpërblej besimin seleksionuesit”, përfundoi mbrojtësi i KF Vardar.
Ndërkohë, për Aleksandar Trajkovskin, i ciil luan te skuadra e Palermos, ndeshja me Italinë është e rëndësishme. “Të l ush kundër Italisë është shumë e vështirë por edhe një motivim i madh. Por, pa marr parasysh se sa do të dukej rëndë, asnjëri që është pjesë e përfaqësueses nuk duhet të lejon as në këtë ndeshje por as në ndeshjet tjera të lirohet. Duhet të japim gjithçka nga vetja dhe të besojmë se mund të vijmë deri te rezultati pozitiv”, deklaroi Trajkovski.
Kujtojmë, Italia – Maqedonia luhet sot (e premte) në ora 20.45.