Bujar KURTAJ
Shkup, 28 prill – Visar Musliu shënoi dy gola për pesë minuta në “Gjorçe Petrov”, pas së cilës skuadra e tij Renovës kaloi në epërsi me 2:0 dhe më pas me 3:1 mundi Makedonia Gj.P. Mbrojtësi tetovar, i cili është pjesë edhe e përfaqësueses së Maqedonisë, reagoi mirë në minutën e dytë dhe të pestë, duke bërë të qartë fituesin e asaj përballje, të cilën siç thamë e fitoi Renova me 3:1.
Ndryshe, për Musliun ky ishte goli i katërt këtë sezon në fanellën e Renovës , ndërsa për gazetën KOHA ka treguar se ndihet i lumtur me golat dhe fitoren e arritur. “Jam shumë i kënaqur me golat që i shënova, por sinqerisht më tepër iu gëzova fitores së ekipit. I shfrytëzuam në maksimum ndërprerjet e lojës që në fund na sollën tre pikë të reja, të cilat na nevojiteshin shumë për të vazhduar serinë e fitoreve”, thotë për KOHA, Musliu.
Edhe pse luan në mbrojtje, siç thamë Musliu deri më tani ka shënuar katër gola, ndërsa përshkruan dy të fundit kundër Makedonia Gj.P. “Goli i parë erdh nga rivënia nga këndi, ku në shtyllën e parë krosoi Argjent Gafuri ndërsa unë me kokë shënova për 0:1, ndërsa goli i dytë ishte nga loja, kur pas një krosimi të Useinit, fati deshi që topi të vjen te unë dhe të mposhti për së dyti herë portierin nikoqir”, i përshkruan golat e tij mbrojtësi i talentuar nga Tetova.
Në pyetjen se pas kësaj fitore a e sheh ai ekipin në garë për pozitën e tretë, Musliu tha se dy ndeshjet e ardhshme të cilat i luajnë si nikoqir, duhet ti shfrytëzojnë maksimalisht. “Dy ndeshjet e ardhshme i zhvillojmë si nikoqir. Të dielën na vjen Rabotniçki, konkurrenti për pozitën e tretë, ndërsa më pas vjen Shkupi. Në këto dy përballje duhet të japim maksimumin dhe të shfrytëzojmë formën që e kemi aktualisht për të marr pikë të plota dhe automatikisht do të hymë në garë për pozitën e tretë”, përfundoi Visar Musliu.
Kujtojmë, për njërin prej mbrojtësve më të talentuar në kampionatin vendor ky do të jetë sezoni i fundit në fanellën e Renovës, ndërsa në verë do të transferohet te kampioni aktual i Maqedonisë Vardari, me të cilën Musliu ka arritur parakontratë tre vjeçare. Ai ishte afër kalimit te kjo skuadër qysh në afatin kalimtar të janarit, mirëpo pasi drejtuesit të dyja klubeve nuk arritën marrëveshje për dëmshpërblimin, Musli vendosi të qëndrojë deri në verë, kur edhe i përfundon kontrata me bardhekaltërit.