Shkup, 3 qershor – Pa zbardhjen e të vërtetës nëse anëtarë të Agjencisë së Zbulimit kanë qenë të përfshirë në dhunën në Parlament dhe rastin e Kumanovës, agjencia nuk do të ecë përpara. Kështu ka deklaruar Drejtori i ri Agjencisë për Zbulim, Erolld Musliu në intervistë për Dojçe Vele. Ai ka thënë se do të bashkëpunojë me Prokurorinë që të zbardhen këto dy ngjarje.
“Vet fakti që në të dy ngjarjet përmendet dhe involvim i pjesëtarëve të Agjencisë së Zbulimit, tregon se gjendja në sektorin e sigurisë ka qenë jashtë kontrollit dhe të gjitha standardeve profesionale. Fakt është që as Agjencia për Zbulim as Republika e Maqedonisë së Veriut nuk do të shkojë përpara pa zbardhjen e këtyre dy rasteve. As unë nuk mund t’i fshijë lehtë pasojat nga këto ngjarje ku kishte viktima në njerëz, dhimbje fizike dhe shkatërrim prone. Mund të potencoj se tërësisht do të jem në dispozicion dhe do të bashkëpunoj me Prokurorinë me qëllim zbardhjen e të gjitha dilemave rreth institucionit përgjegjës për të dy ngjarjet”, ka thënë midis tjerash në intervistë Erolld Musliu, drejtor i Agjencisë për Zbulim. (koha.mk)