Shkup, 13 dhjetor- Skuadra e Vardarit e cila këtë sezon dëshiron të mbrojë titullin e kampionit dhe gjithashtu është në garë për të fituar trofeun e Kupës së Maqedonisë, ka filluar bisedimet intensive me drejtuesit e Renovës, për të transferuar në radhët e saj njërin prej mbrojtësve më të mirë në Maqedoni, Visar Musliu. Siç merr vesh gazeta KOHA, drejtuesit e Vardarit bisedimet me drejtuesit e Renovës i kanë filluar, pasi paraprakisht ata janë marr vesh me futbollistin. Në fakt sipas asaj që arritëm të kuptojmë, mbrojtësi i përfaqësueses së shpresave të Maqedonisë ka rra dakord që të nënshkruajë kontratë tre vjeçare me kuqezinjtë, pasi drejtuesit e klubit atij i kishin ofruar kushte shumë më të mira për dallim me ato çka i ka pasur te Renova. Ndryshe, ky transferim pritet të realizohet në afatin kalimtar të janarit duke marr parasysh se mbrojtësit kontrata me bardhekaltërit i përfundon në verë me çka drejtuesit e Renovës nuk do të lejojnë që ai të shkojë pa para, dhe me një dëmshpërblim do të lirohen nga shërbimet e tij. Derisa, mësuam se edhe vet Musliu ka shprehur gatishmëri që ky transferim të realizohet në janar pasi dëshira e tij është që nëpërmjet Vardarit ai të arrijë sa më lartë në karrierën e tij. Ndërkohë, pos Vardarit për shërbimet e Visarit janë të interesuar edhe drejtuesit e Shkëndijës, të cilët tek ai shohin si zgjidhje të problemit në mbrojtje, pasi siç e dimë në këtë pozitë kuqezinjtë janë më të dobët. Mirëpo, nga ajo çka kuptuam është se mundësitë që ky transferim të realizohet, janë të vogla, duke marr parasysh se ai më është marr vesh me drejtuesit e Vardarit, ku siç thamë ka arritur kontratë tre vjeçare dhe e gjitha që ka arritur të bëhet është që të dyja klubet të merren vesh për dëmshpërblimin. Cekim, Visar Musliu është lindur në Gostivar, ndërsa deri më tani ka qenë pjesë e Gostivarit dhe St Galenit, ndërsa është pjesë edhe e përfaqësueses së Maqedonisë deri 21 vjeç me të cilën arritën suksesin historik, duke u plasuar në Kampionatin Evropian në Poloni vitin e ardhshëm.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.