Një studim në SHBA ka treguar se muslimanët dhe meksikanët konsiderohen “klasë e ulët” dhe se si rezultat i kësaj, pjesëtarë të grupeve në fjalë mund të priren për aktivitete që bazohen në dhunë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Studimi i titulluar “Reagim i ashpër: Pasojat politike dhe të botës reale nga dehumanizimi i grupeve minoritare”, i realizuar nga universiteti i Pennsylvanias dhe ai Northwestern, ka treguar se dallimi i muslimanëve dhe konsiderimi i tyre si klasë e ulët i nxitë këta persona në dhunë dhe i bën më pak të prirur për të bashkëpunuar me forcat e antiterrorit. Në anketën e realizuar në kuadër të studimit, 1.100 pjesëmarrësve u është prezantuar një diagram në të cilin gjenden të radhitur njerëz nga më primitivi deri te ai më modern dhe u është kërkuar për muslimanët dhe meksikanët të japin vlerësime me pikë në një shkallë prej 0 deri në 100.
Pjesëmarrësit, shumica amerikanë të bardhë, kanë dhënë 70 pikë për muslimanët, 75 për meksikanët dhe 95 për amerikanët që duken si ta, ndërkohë që është vërejtur se kjo qasje ka qenë edhe më e përhapur në mesin e simpatizantëve të presidentit amerikan Donald Trump gjatë fushatës së tij zgjedhore, kohë kjo kur është realizuar studimi. Nga ana tjetër, muslimanët dhe pakicat amerikanolatine në vend kanë theksuar se janë rritur perceptimet e tyre si qytetarë të klasës më të ulët për shkak të fushatës së Donald Trump dhe qëndrimit të Partisë Republikane dhe amerikanëve. Ndërkohë, rezultatet e studimit po ashtu kanë treguar se kur këta persona përballen me perceptimin e të qenit njerëz të klasës së ulët, janë më të prirur për aktivitete kolektive që përmbajnë dhunë dhe më pak të hapur për bashkëpunim me njësitet e antiterrorit. Emile Bruneau, njëri nga autorët e studimit, është shprehur se “Nëse ne përdorim retorikë ndaj muslimanëve e cila i bën ata të ndihen si njerëz të klasës së ulët dhe nëse praktikojmë politika në këtë drejtim, atëherë kjo gjendje mund t’i nxisë ata në dhunë.” Rezultatet e studimit janë publikuar në “Personality and Social Psychology Bulletin”.