Falë Zotit nuk jemi një nga shtetet që do të kishin në territor Amazoninë se do e kishim bërë shkrumb e hi me kohë, ose do ishte pronë e pushtetarëve ku në vend të pemëve, do kishte pallate. Do kishim betonizuar Amazoninë, nga xhungël me bimësi, në xhungël tullash dhe hekuri. Përveçse shqetësimit të madh që ka sjellë zjarri në pyjet e Amazonës për çdo qytetar të botës, është edhe një shembull konkret se si duke mbajtur në pushtet politikanë të papërgjegjshëm rrezikon jetën tënde, në këtë rast jo metaforikisht por realisht!
Nga dr. Arben TARAVARI
Po digjen mushkëritë e botës, ky është një titull i cili ka pushtuar disa ditë të gjitha gazetat, televizionet, radiot e portalet e mbi të gjitha kabinetet qeveritare të po thuajse gjithë botës.
Pyjet e Amazonës që ndryshe metaforizohen edhe si “Mushkëria e Botës” janë sulmuar nga zjarre të cilët kërcënojnë seriozisht kushtet klimaterike për gjithë vitet që do të vijnë. Me një kërkesë të posaçme të presidentit francez Emanuel Makron u mbajt dhe një mbledhje urgjente e G7-ës, shtetet anëtare e së cilës kanë marrë vendimin e mbështetjes në para dhe mjete për të shuar sa më shpejt zjarret. Franca është një nga shtetet që i përket një pjesë e asaj që quhet Amazonia. Por jo vetëm kaq, Franca sigurisht është një shtet me politikë inteligjente dhe është e ndërgjegjshme që një masakër natyrore e përmasave të mëdha mund të pasojë zjarrin në pyjet e Amazonës. Presidenti i saj deklaroi se: Shtëpia jonë po digjet!
Ndryshimet klimaterike të cilat po ndodhin para syve tanë do të merrnin një hov të madh pas kësaj katastrofe e cila sado që disa shtete i ka gjetur indiferent, do t’i dënojë me radhimin e një elementi jetësor sikur që është Oksigjeni.
Në këto pyje prodhohet 20% e oksigjenit për të gjithë globin. Ministri brazilian i ambientit z. Rikardo Sales deklaroi se shkaqet e zjarrit janë koha e thatë, era dhe temperaturat e larta, por meteorologu i kanalit televiziv amerikan CNN, z. Haley Brink, deklaroi se zjarret janë të shkaktuara nga dora e njeriut dhe fajet nuk mund t’iu hidhen kushteve natyrore.
Pavarësisht që na ndajnë rreth 10 000 km nga pyjet e Amazonës, nga aty vjen oksigjen edhe për ne. Duke uruar dhe shpresuar që shtetet e mençura të zgjidhin në mënyrën më të mirë të mundshme këtë hall të shkaktuar nga dora e njeriut, vë re një fakt interesant që tregon se si mungesa e ndërgjegjes njerëzore është më e madhe në shtetet e varfra.
Kështu, në këtë shtetin tonë që një këmbë e ka të zhytur në krim e tjetra nuk i duket, po shkruhen përditë rekorde të reja të mungesës së ndërgjegjes njerëzore. Duke u udhëhequr nga një tufë politikanësh sharlatanë, të cilët pushtetin e kanë keqpërdorur përtej edhe fantazisë më malinje, këtu ka aq shumë korrupsion dhe kakistokraci. Këtu tek ne ka një mal me çmenduri sociologjike, morale, humane dhe ligjore. Këtu ke deponi mbeturinash që digjen për inate politike duke helmuar e duke rritur probabilitetin kancerogjen edhe tek vet fëmijët e pirromanëve (zjarrvënëse), ke mësues që në mënyrë kriminale vrasin trutë e fëmijëve me paaftësitë e tyre ndërkohë që mësuesit e aftë ose paguhen sa për të mbijetuar ose janë pa punë! Kemi mjekë që janē diplomuar nga halli e gabimet e tyre i varrosin me pacientë, ndërkohë që mjekët e aftë ose e kanë braktisur këtë vend ose mezi presin ta braktisin sepse kushtet e tyre të punës janë ofenduese! Dhe natyrisht kemi politikanë që veprat i kanë për burg por burgut nuk i dorëzohen, të rrethuar shpesh herë këshilltarë politikë që komandojnë ministra dhe nuk kemi asnjë ministër që të jetë i emëruar si pavarur!
Kjo është xhungla e Maqedonisë së Veriut që ndryshe nga Xhungla e Amazonës që na dhuron oksigjen, kjo e jona na i merr!
Duke u kthyer dhe një herë tek katastrofa që po ndodh në pyjet e Amerikës Jugore, Amazonia është e ndarë në 9 shtete, 60% e saj ndodhet në Brazil, kurse pjesa tjetër ndahet në shtete të tjera dhe midis tyre bie në sy Franca si i vetmi vend evropian që gëzon 1.4% të Mushkërisë së Botës. Zotëron kaq pak por reagimi i saj për këtë rast ka qenë dhe është i jashtëzakonshëm. Si u përmend më lart, ishte presidenti francez Makron i cili mblodhi G7 urgjentisht. Por le të ndalemi pak tek Brazili, një vend i cili numëron sipas të dhënave zyrtare 210 147 125 banorë, me një sipërfaqe prej 8 515 767 km është shumë e shumë i madh se sa Maqedonia e Veriut. Në 19 gusht ishte pikërisht San Paolo i Brazilit që u mbuluar nga hiri si në filmat fantazmo- shkencorë sepse pyjet e Amazonës kishin marrë flakë. Bota e hodhi vëmendjen në këtë shtet, i cili menjëherë fajësoi Presidentin aktual, z. Bolsonaro si përgjegjësin kryesor të krizës për shkak të retorikës së tij, duke pretenduar që Amazona është e Brazilit dhe bën çfarë të dojë me të-shkruan gazeta Time, por një fakt që të bie në sy është se në vitin 2017, qeveria ka shkurtuar për 44% buxhetin shtetëror për shkencë dhe po njësoj buxhetin e Agjencisë për Ambientin, që tingëllon si një nga veprimet më qesharake, naive dhe dramatike që një shtet mund të bëjë. Vet Presidenti vazhdoi këtë anti-vepër duke prerë edhe 24% në 2019 dhe puna arriti deri aty sa Agjencia e Ambientit nuk kishte më fonde për të zhvilluar aktivitetin e saj normal. Puna arriti deri aty sa Bolsonaro u hakmorr politikisht duke pushuar nga puna një agjent të Mjedisit i cili e kishte gjobitur para disa vitesh Bolsonaron për peshkim të paligjshëm ose pushoi nga puna drejtorin e Agjencisë Hapësinore Braziliane duke e akuzuar për deformim të fakteve me qëllim prishjen e imazhit shtetëror. Natyrisht që për në Maqedoni hakmarrja e politikanëve kur në vijnë në pushtet është aq e pritshme sa kur nuk ndodh të zë frika dhe ankthi se pale se çfarë lemerie të pret, mirëpo në Brazil po bëhet skandal për këtë punë, dhe për amatorizëm politik, për shkak të papërgjegjshmërisë njerëzore po kërcënohet gjithë bota, përfshi edhe neve, që na duket vetja shpesh herë me të drejtë sikur me qenë nga marsi, por jo, të paktën gjeografikisht jemi tokësorë. Falë Zotit nuk jemi një nga shtetet që do të kishin në territor Amazoninë se do e kishim bërë shkrumb e hi me kohë, ose do ishte pronë e pushtetarëve ku në vend të pemëve, do kishte pallate. Do kishim betonizuar Amazoninë, nga xhungël me bimësi, në xhungël tullash dhe hekuri.
Përveçse shqetësimit të madh që ka sjellë zjarri në pyjet e Amazonës për çdo qytetar të botës, është edhe një shembull konkret se si duke mbajtur në pushtet politikanë të papërgjegjshëm rrezikon jetën tënde, në këtë rast jo metaforikisht por realisht!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)