Shkup, 11 dhjetor – Kërcënimet, shantazhet, parregullsitë dhe shkeljet e ndryshme të procesit zgjedhor, i cili përfundoi në ora 19, sipas zëdhënësit të Lëvizjes BESA, Orhan Murtezani, kanë ndikuar që elektorati i koalicionit “Rilindje me Besë” të dëmtohet për rreth 50 për qind të votave. Në konferencën e parë për shtyp, të cilën Lëvizja BESA e mbajti menjëherë pas mbylljes së vendvotime, u tha se një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të cilët kanë qenë të regjistruar në faqen zyrtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, nuk kanë figuruar në listat e votimit. “Me këtë përjashtim nga lista e votimeve, këtyre qytetarëve u është pamundësuar e drejta e votës, e drejtë kjo që ju garantohet me normat dhe dispozitat e Kushtetutës së RM-së”, tha Murtezani. Duke u mbështetur në të dhënat e Shtabeve zgjedhore, Murtezani tha se në vendvotimin 2895 dhe 2898 në Komunën e Çairit, aktivist i BDI-së me iniciale B.E, i ka fotografuar votuesit të cilët e kanë realizuar të drejtën e votës. Incidente me përmasa të vogla, sipas Lëvizjes BESA, janë regjistruar edhe në Tetovë, Dollnen, Butel, Shuto Orizare dhe Saraj. Me informacione më të detajuar, përfshirë edhe procesverbalet nga vëzhguesit e kësaj partie lidhur me shkeljet e këtij procesi zgjedhor, të cilët pritet t’i vërtetojnë këto akuza, siç tha zëdhënësi Murtezani, do të publikohen në konferencën për shtyp që pritet të mbahet në ora 21:00.