Portieri i ri i Kosovës, Arijanet Muriqi, ka folur për ndeshjen debutuese ndaj Azerbajxhanit në Ligën e Kombeve dhe ka treguar pse e zgjodhi Kosovën për ta përfaqësuar. Kosova fitoi bindshëm 4 me 0 të martën për të fituar Grupin 3 të Ligës D dhe për të siguruar plasmanin një ligë më lart si dhe për të fituar rastin që të kualifikohet në Evropianin 2020 përmes “play-offit” të Ligës së Kombeve. Për këtë ndeshje, portieri shtatgjatë i Manchester Cityt ka thënë se ishte me shumë emocione.
“Ishte ndeshje e madhe, me shumë emocione për ekipin dhe për shtetin po ashtu. Ne po vazhdojmë mirë dhe kërkuam ta fitonim ndeshjen në mënyrë që të shkojmë sa më lart që mundemi”, ka thënë ai në një intervistë ekskluzive për KTV-në.
I pyetur se a kishte pritur që të ishte zgjedhja e parë për ndeshjen vendimtare, Muriqi ka thënë se “është vendim i trajnerit dhe jam shumë i lumtur që e pata mundësinë për të luajtur”.
20-vjeçari ka treguar po ashtu se ishte babai i tij që vendosi për të luajtur për Kosovën. Ka thënë se ndihet mirë për këtë fakt. Ka treguar se ka qenë edhe herëve të tjera në Kosovë.
“Jemi nga familja Muriqi dhe babai im vendosi që të luaj për Kosovën dhe prandaj e zgjodha. Ndihem më mirë. Kam qenë edhe herëve tjera në Kosovë, në Pejë”, ka treguar ai.
Muriq është shprehur optimist edhe për ndeshjen e “play-offit” ndaj Maqedonisë në mars të vitit 2020.
“Nëse luajmë sikur në ndeshjen e kaluar, sidomos si në pjesën e dytë dhe japim gjithçka, mendoj se do t’i mposhtim ata”, është shprehur ai.
Ai është shprehur po ashtu se në Ligën C Kosova do ta ketë më vështirë, por shpreson në paraqitje të mira.
“Mendoj se do të jetë më e vështirë për të luajtur, do të ketë situata të ndryshme, por do të luajmë më shumë ndeshje së bashku dhe besoj se do të kemi paraqitje të mira”, është shprehur ai.
Muriq ka falënderuar edhe tifozët e Kosovës për të cilët ka thënë se në “Fadil Vokrri” ishin të shkëlqyeshëm.