Bëhet fjalë për 19 vjeçarin shqiptar nga Mali i Zi, Arjanit Muriqi, i cili ka zënë vend në syrin e strategut spanjoll Pep Guardiola. Shtatgjati ishte i ftuar në ndeshjen kundër Wolverhampton, ku “qytetarët” nuk arritën të marrin fitore
Kampioni i Anglisë, Manchester City nuk ka arritur të marrë më shumë se një barazim 1:1 në udhëtim tek Wolverhampton. Skuadra e Pep Guardiolas kishte vështirësi në këtë takim, pasi edhe fati ia ktheu shpinën kur goditi dy herë shtyllën me anë të Kun Agueros. E veçantë e kësaj sfide ishte se trajneri Pep Guardiola kishte grumbulluar një futbollist shqiptar në mesin e 18 futbollistëve. Fjala është për portierin Arjanit Muriqi shqiptar nga Mali i Zi. 19-vjeçari u grumbullua si portier rezervë pas lëndimit të portierit të dytë të Cityt, Claudio Bravo. Klubi anglez e kishte huazuar portierin tek NAC Breda në Holandë, ku qëndroi vetëm një muaj atje për tu rikthyer në Angli. Pep Guardiola dha urdhër që portieri të rikthehet në klub pas huazimit pasi kishte nevojë urgjente për të. Muriqi iu bashkua Cityt në vitin 2016 nga gjiganti zviceran Grasshopper dhe deri më tani ka mbrojtur për grupmoshat U18 dhe U23. Në Nac Breda, portieri i talentuar shqiptar ka mbrojtur vetëm një ndeshje atë të fituar 3-0 ndaj De Graafschap. Muriqi është i gjatë 1.98 centimetra. Aktualisht portieri shqiptar është pjesë e Kombëtares së Malit të Zi për U21.