Hoze Murinjo ka tentuar të ulë rëndësinë e vizitës së Mançester Junajtedit te Liverpulit të shtunën, duke thënë se ndeshja ka vlerën e tri pikëve, si të gjitha ndeshjet tjera. Junajtedi dhe Mançester Siti prijnë në Premier Ligë vetëm me një gol dallim dhe mbesin të pamposhtura në shtatë ndeshjet e para të këtij sezoni, por vizita në “Anfield” – stadium në të cilin Murinjo është përfshirë në disa zënka gjatë viteve të fundit – është testi më i vështirë sivjet. “Është ndeshje për tre pikë, jo për katër. Sikur të ishim në një moment kur dueli do të ishte mes dy ekipeve të barabarta, atëherë do të kishte rëndësi më të madhe, por në këtë rast jo”, ka thënë Murinjo për “Sky Sports”. “Në të njëjtën kohë, këto lloje të ndeshjeve, çdo moment i tyre luan rol të madh. Do të luajmë kundër një ekipi të mirë me lojtarë shumë të mirë”, ka shtuar ai.