Hoze Rodriguez është vetëm 23 vjeç por në karrierën e tij ka udhëtuar në shumë vende të ndryshme të Europës si futbollist. I rritur në radhët e Real Madrid, lojtari ka luajtur në Spanjë, Turqi, Gjermani dhe Izrael, para se të shkonte në Holandë, në një klub të vogël si Fortuna Sitard. Mund të duket një emër i panjohur, por Rodriguez është një rekordmen te Real Madrid. Në periudhën kur skuadrën e drejtonte Zhoze Murinjo, djaloshi u bë futbollisti më i ri që luante në Ligën e Kampioneve me fanellën e kësaj skuadre, siç ka kujtuar ai në një intevistë të dhënë për “AS”.
“Kanë kaluar 7 vite që nga ai moment, por kudo që shkoj, më kujtojnë për këtë ndeshje, është e pabesueshme”, tha Rodriguez i cili asokohe ishte 17-vjeçar dhe nuk ishte as titullar te Kastija, ekipi i dytë i Realit, kur Murinjo e mori me skuadrën e parë. “Në atë moment nuk e gëzon aq shumë, pasi as nuk e kupton se kush je. Murinjo më tha “do të të bëj ciganin më të famshëm në botë” dhe unë qesha shumë. Nuk mund ta shpjegoj me fjalë atë që ndjeja kur trajneri më i mirë në botë me fliste apo më jepte këshilla”.
Fatkeqësisht për të, ajo periudhë ka kaluar dhe pas xhirove në klube të ndryshem nëpër Europë, ka përfunduar te Sitard. “Njerëzit thonë që kam mbaruar si lojtar, por do të provoj të ringrihem përsëri”, premtoi Rodriguez.