Bisedimet kanë nisur që javën e kaluar, por ato janë mbajtur në fshehtësi dhe vetëm dje mediat britanike kane zbuluar për marrëveshjen, e cila do të zyrtarizohet pas përfundimit të kampionatit. Derisa pas lojtarit serb, Murinjo synon të realizojë një këmbim me vlerë 80 milion euro me Çellsin që përfshin Uillian dhe Martial
E përditshmja britanike “The Sun” ka bërë me dije se Mançester Junajted ka arritur një marrëveshje me mesfushorin serb Sergej Milinkoviç-Saviç, i cili sezonin tjetër do të luajë në “Old Trafford”. Për të marrë 23-vjeçarin që luan me Lacion në Serinë A, skuadra e “djajve të kuq” ka paguar një shumë prej 90 milionë eurosh, ndërkohë që këtë sezon, lojtari ka realizuar deri më tani 13 gola. Bisedimet kanë nisur që javën e kaluar, por ato janë mbajtur në fshehtësi dhe vetëm dje mediat britanike kane zbuluar për marrëveshjen, e cila do të zyrtarizohet pas përfundimit të kampionatit. Kërkesa e Lacios ka bërë që Mançester të jetë në dyshime për ta marrë lojtarin serb, por Murinjo e ka kërkuar me çdo kusht, ndaj klubi ka bërë një sforco mjaft të madhe financiare për ta marrë. Milinkoviç-Saviç, 23 vjeç, pritet të bëhet kështu blerja e dytë më e shtrenjtë e historisë së Premier Ligës pas Pol Pogba, të dy lojtarë të ardhur nga Seria A dhe të dy te skuadra e Mançesterit. Pas ardhjes së serbit, pritet që nga skuadra të largohen dy lojtarë, Majkëll Karrik, që do të tërhiqet në fund të sezonit dhe Marouane Fellaini, që nuk ka firmosur rinovimin me Junajted. Për Murinjon, Saviç është i përkryer në mesin e fushës, duke formuar një dyshe me patriotin e tij Nemanja Matiç.
Ndërkohë, Murinjo nuk ndalet me kaq. Ai tani synon të realizojë një këmbim me vlerë 80 milion euro me Çellsin që përfshin Uillian dhe Entony Martial. Trajneri i Junajted e vlerëson shumë brazilianin që nga koha kur e drejtonte te Çellsi, ndërsa këta të fundit pëlqejnë sulmuesin francez. Gjithsesi, drejtuesit e Junajted do ta merrte në konsideratë shitjen e tij vetëm nëse në operacion do të përfshihej Uillian. Junajted do të pranonte ta linte të lirë të largohej Martial në këmbim të 40 milion euro + Uillian, pasi Murinjo e vlerëson 80 milion euro francezin dhe 40 brazilianin, të cilin ka dashur ta marrë që në verën e 2016-ës.