Në Mançesterin që mbështet Junjated, situata është disi kaotike ndërsa zërat për largimin e Hoze Murinjos shtohen përditë. Nuk është më një mister fakti që diçka është thyer në marrëdhëniet mes klubit dhe trajnerit luzitan, i cili nuk arrin të buzëqeshë si më pare, duke dhënë sinjale të qarta se gjërat nuk po shkojnë në drejtimin e duhur. Shkëputja e rivalëve të Sitit në krye të klasifikimit e ka rënduar jo pak situatën në radhët e “Djajve të Kuq” dhe tashmë hipoteza e një lamtumire të mundshme të “Special One” në fund të sezonit nuk është më një utopi.
“Sindroma e vitit të tretë” që simbolizon krizën dhe që në Angli besohet verbërisht, duket se ka mbërthyer Moun, i cili në ndryshim nga dy vitet e para, po kalon përherë e më pak kohë në qytetin e Mançesterit. Hoze nuk ka blerë ende një banesë në qytetin ku punon, sepse Londrën e konsideron shtëpinë e tij ku shkon shpesh me avionin e tij privat. Drejtuesit më të lartë të klubit nuk e shikojnë aspak me sy të mirë këtë sjellje, aq më tepër që në krahun tjetër, rivali i tij Pep Guardiola po bën një punë të shkëlqyer kjo edhe për faktin që ai është 24 orë në kontakt me lojtarët e tij, pasi ka preferuar të jetojë me kohë të plotë në Mançester.
Një tjetër çështje që krijon një hendek të madh mes portugezit dhe klubit është fakti që ai kërkon të menaxhojë çdo detaj, madje edhe emërimet në staf, gjë e cila nuk ka ndodhur në kohën e Luis Van Gaal dhe David Mojs. Sulmi verbal kundër një emri të njohur si Pol Skolls me aq shumë kontribute në “Old Trafford” ka acaruar edhe më tej situatën, pasi një klub si Junajted kërkon të ruajë me fanatizëm traditën dhe emrat që e kanë përfaqësuar dhe deklarata e Murinjos se ka fituar më shumë se ish-mesfushori, nuk është pritur mirë. Ndoshta këtë herë me qëndrimin e tij publik, Murinjo ka shkelur në dërrasë të kalbur, sepse Skolls nuk përfaqëson vetëm një ish, por ai është një ikonë e gjallë e “Djajve të Kuq”.
Në fund, por jo më pak rëndësi, kanë edhe zërat që vijnë nga Parisi për një interesim gjithmonë në rritje të sheikut Al Khelaifi. Te PSZH, Murinjo do të kishte në dorë çekun e bardhë për të shpenzuar sipas dëshirës dhe ky është një fakt joshës për trajnerin portugez, i cili preferon ta ndërtojë skuadrën që dëshiron i lirë nga pengesat financiare.