Lojtarët e “Manchester Junajted” do ta kalojnë natën e Krishtlindjes të grumbulluar me skuadrën. Hose Mourinho ka ndëshkuar lojtaret e “Manchester Junajted” pas prezantimit të dobët të Djajve të Kuq në “Mestalla”. “Manchesteri” humbi me “Valencian” me rezultatin 2-1.
Sipas asaj që raporton e përditshmja “The Sun”, portugezi ka vendosur të mos i japë asnjë ditë pushimi skuadrës për festën e Krishtlindjes. Murinjo ka vendosur që në 25 dhjetor, të gjithë lojtarët të grumbullohen me skuadrën, edhe pse është dite feste.
Sipas traditës skuadrat stërviten edhe në Krishtlindje, por pastaj janë të lirë të shpërndahen. Këtë herë jo. Special One, sapo të përfundojë stërvitja e pasdites, do ta detyrojë skuadrën ta kalojë mbrëmjen, në vigjilje të ndeshjes me “Huddersfield”, e grumbulluar dhe jo me familjen.
Një dënim që vjen së bashku me fjalët e zakonshme thumbuese, pa thënë emra, por që është e qartë se i drejtohet lojtarëve si Pogba, që nuk po luajnë si do të donte ai. “Pres më shumë nga lojtarët e mi, sidomos nga ata që më kërkojnë pse nuk luajnë nga fillimi“, ka shtuar Mourinho. (ATSH)