Mançester Junajtid “vlon” nga problemet e brendshme, pasi tashmë është e qartë se shumë futbollistë nuk e duan më Zhoze Murinjon si trajnerin e tyre. Tekniku i “djajve të kuq” është përballur publikisht me Pogba, por francezi nuk është problemi i tij i vetëm. Një nga emrat e tjerë që është përballur me kritika të shumta është edhe ylli i ri anglez, Markus Rashford. Pas fitores ndaj Jang Bojz në Ligën e Kampioneve në javën e kaluar, trajneri portugez ka kritikuar lojtarin edhe për mënyrën se si bënte nxemjen para takimit.
Rashford nuk u shfaq edhe aq mirë në takimin e luajtur në Zvicër, duke u zëvendësuar nga stafi i cili e mbajti në fushë pas ndeshjes për të zhvilluar një seancë stërvitore pas ndeshjes. Por futbollisti duket se nuk e përjetoi aq mirë situatën dhe sipas medieve angleze, nuk ndoqi udhëzimet e stafit. Në këtë moment, në debat u përfshi edhe Murinjo, i cili raportohet t’i ketë thënë se nuk ishte aq i rëndësishëm sa e mendonte dhe se duhej të bënte siç i thoshin personat përgjegjës në klub. Rashford është pjesë e grupit të lojtarëve që kërkojnë me ngulm largimin e Murinjos nga Mançester Junajtid. Marsial, Beili dhe Pereira janë emrat e tjerë që i bashkohen anglezit dhe Pogba duke kërkuar largimin e teknikut nga radhët e skuadrës.