Shkup, 6 maj – Koalicioni opozitar Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, sot në bulevardin “Çairçanja” realizuan konferencë për media për sa i përket vendosjes së bllokadave të betonuara që ndajnë në mes këtë rrugë. Përfaqësues të këtij koalicioni për media akuzuan kryetarin aktual të Komunës së Çairit, Visar Ganiu dhe atë të Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov se po irritojnë dhe nënçmojnë qytetarët e Çairit. Nga ky koalicion thanë se ky mur ka marrë epitetin e murit të turpit, që sipas tyre, kjo pamje e komunës irriton qytetarët dhe shëmton sipërfaqen urbanistike-estetike të komunës.
“Derisa kryetari i Shkupit nëpër pjesët e tjera të qytetit mbjell lule, në Çair që nga viti i kaluar po mbjell vetëm mure dhe beton. Dhe, duke pasur këtu një kryetar Çairi kukull, që edhe ashtu është instaluar nga Shilegovi dhe shefat e tij, qytetarët këtu janë vendosur nën trysninë e betonizimit dhe mëshirën e atyre që këtë komunë po e ndajnë me beton”, deklarojnë nga ASH-AAA. Ata po ashtu kërkuan nga Ganiu dhe Shilegov që të heqin betonin dhe të ofrojnë zgjidhje tjetër.
“Koalicioni jonë kërkon që kryetarët në fjalët, ta heqin betonin nga Çairi dhe të ofrojnë zgjidhje tjetër. Në të kundërtën, sapo ta fitojmë komunën në vjeshtën e këtij viti, gjëja e parë që do të bëjmë do të jetë çlirimi nga betonimi dhe ofrimi me gjelbërimin dhe zbukurimin”, thonë ata.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu aktivitetin e tij së bashku me kryetarin e Shkupit Shilegov e konsideron formë lehtësimi për qarkullimin e komunikacionit dhe të trafikut duke thënë se prioritet kryesorë janë eefikasiteti i rrugëve të Çairit. “Kjo është vetëm një zgjidhje e përkohshme deri në realizimin e projektit për autobusët e shpejtë, të cilin para disa ditëve e paralajmëroi Qyteti i Shkupit. Lehtësimi i qarkullimit nëpër rrugët e Komunës së Çairit është prioriteti ynë. Implementimi i projekteve efikase të komunikacionit bëhet me të vetmin qëllim të kemi rrugë pa kaos dhe qytetarë të sigurtë” tha Ganiu. Nga koalicioni ASH-AAA si shenjë revolte, shkruan afishe në bllokadat e betonit duke e emëruar këtë projekt si “Muri i Turpit”. (koha.mk/A.K)