Ende nuk po arrijmë ta kuptojmë se si kjo gjendje jonormale po tolerohet nga politikanët shqiptarë në Shkup, të cilët si duket harruan të kaluarën e tyre të vuajtur dhe tani nga karriget e buta dhe nga ajri i kondicionuar i xhipave nuk po munden ta perceptojnë këtë dimension paradoksal të moskomunikimit të shqiptarëve në rajon. Apo ndoshta, pritjet tona ndaj tyre janë tepër të mëdha?!
Nga Emin AZEMI
Maqedonia ka shumë vendkalime me shtetet fqinjë, por më së paku me ato të banuara kryesisht me shqiptarë. Sidomos më Kosovën dhe Shqipërinë, ka më së paku, kurse me Serbinë, në pjesën e Luginës së Preshevës, e ka një të vetëm, që llogaritet madje si vendkalim rajonal që lidhë më shumë se dy shtete. Në Llojan ka vite që premtohet hapja e vendkalimit kufitar, por banorët e këtij fshati për të shkuar në Miratoc, as 2 km. larg, duhet të rrotullohen dhjetëra kilometra. Një padrejtësi kjo shekullore që assesi të korrigjohet.
Këtyre ditëve, për shkak të punëve që po kryhen në ndërtimin e autostradës së re Prishtinë-Bllacë, autoritetet kosovare e kanë bllokuar një aks rrugor afër Kaçanikut, dhe për pasojë të gjitha udhëtimet, madje edhe të transportuesve, për të paktën një muaj, do të devijojnë në drejtim të Glloboçicës. Kjo për shkak të mungesës së vendkalimeve të mjaftueshme që do të shërbenin, në raste të tilla, për të pakësuar mundimet e udhëtarëve dhe kostot e transportuesve.
Maqedonia dhe Kosova janë shumë afër njëra tjetrës, por sa i përket vendkalimeve kufitarë janë shumë larg. Po bëhen mbi dy dekada që projekti për vendkalimin Bellanoc-Stançiq, i cili shkurton për dhjetëra kilometra udhëtimin Kumanovë-Gjilan, bartet si stafetë nga njëri mandat ministri tek tjetri mandat, dhe tani më ky projekt sikur ka marrë atributet e legjendës së famshme të Rozafatit. Ajo çka diskutohet dhe firmoset në formë marrëveshjesh nga politikanët, bëhet ose, sa për një foto për të tregu se po “punohet diçka”, ose, për të ulë shkallën e demoralizimit të njerëzve në të dy anët e kufirit.
Kur jemi te demoralizimi, shumë kush ishte i bindur se politikanët kur marrin përgjegjësi, i zbatojnë edhe afatet e kryerjes së obligimeve që lidhen me hapjen e vendkalimeve kufitare. Mirëpo, jo vetëm, që afatet nuk u respektuan, por u krijua përshtypja se dikush qëllimisht po bën obstruksione për të penguar komunikimin e lirë të shqiptarëve në rajon. Si të kuptohet ndryshe ky demoralizim, kur edhe ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë, po zvarritet me vite dhe askush nuk e ka të qartë nëse projekti i kësaj rruge është gati apo jo.
Kur dëgjon qytetarët tek flasin për këto telashe, ndodhesh i papërgatitur si gazetar të japësh përgjigje për të gjitha shqetësimet që ngrenë ata. Dhe si zakonisht, shpjegimet drejtuar hallexhinjve përmbajnë njëfarë lloj optimizmi në stilin “së shpejti..”, por sa më shumë që mundohesh të bëhesh zëdhënës i politikanëve të papërgjegjshëm që japin premtime e nuk i realizojnë ato, del edhe ti si gazetar njëfarë karikature. Ky është pozicioni më mjeran, që të bën të ndjehesh i padinjitetshëm përballë shqetësimeve të ligjshme të qytetarëve. Që të bëhesh me fut kokën në zall si struci, teksa dëgjon një nënë plakë të Llojanit, e cila duhet të bëjë disa kilometra rrugë për të mbërri te shtëpia e nipave në Miratoc, të cilën e ka shumë afër, madje edhe mund ta sheh shlirshëm nga ballkoni i shtëpisë së saj. Kjo gjendje ta kujton Berlinin e ndarë me tela gjemborë gjatë kohës së Luftës së Ftohtë, atëherë kur bota nuk komunikonte mes veti dhe quhej privilegj nëse dikush arrinte të kalonte nga njëra anë e kufirit në anën tjetër.
Tani, në shek. 21 gati çdo i dyti shqiptarë në Maqedoni e Luginë të Preshevës e ka nga një Mur Berlini para hundëve. Sepse vetëm, shqiptarët e këtij rajoni janë të dënuar të qarkullojnë dhjetëra kilometra rrugë për të mbërritur në një destinacion që është jo më larg se dy kilometra. Absurd!
Dhe krejt në fund. Ende nuk po arrijmë ta kuptojmë se si kjo gjendje jonormale po tolerohet nga politikanët shqiptarë në Shkup, të cilët si duket harruan të kaluarën e tyre të vuajtur dhe tani nga karriget e buta dhe nga ajri i kondicionuar i xhipave nuk po munden ta perceptojnë këtë dimension paradoksal të moskomunikimit të shqiptarëve në rajon. Apo ndoshta, pritjet tona ndaj tyre janë tepër të mëdha?! (koha.mk)