Ballkani është gjysëm shekulli vonë për ta kapur frymën në të cilën ishte bota që para se të binte muri i Berlinit. Historia ka prodhuar tragjedi njerëzore për shkak të ideve mizore të politikës. Ajo nuk do të ndalet dhe gjithmonë një “revolucion” zëvendësohet me një tjetër. Pse politikanët e këtushëm rrallë herë i kanë shërbyer shtetit, por kryesisht shteti atyre dhe kanë shkatërruar idenë që politika është punë që ka të bëj me diçka të mirë?!
Nga Idro SEFERI
Një gjerman të ri e kishin kapur pa bërë gati, në moshën adoleshente, punëtorët e Stasit-sigurimit fatkeq të DDR apo Gjermania Lindore. Atë ditë ai e dinte mirë se çfarë kishte bërë, kishte bërë një grafit. Porta e burgut dukej si portat modern dhe nga jashtë nuk dukej mire se çfarë ishte. “Më kanë sjellë më një furgon akulloresh”, thoshte ai gjatë një takimi, pjesë e të cilit kam qenë dhe vet, me disa dhjetëra njerëz nga Evropa Juglindore që në atë kohë kishim ndonjë lidhje me një kulturë të kujtesës që tek ne është gati e panjohur. Prezervimi i të shkuarës në mënyrë të drejtë është bazë mbi të cilën mund të ndërtohet një e ardhme pa lëkundje.
Ky personazh që bënte guidën e tani muzeut-burg në atë kohë kishte qëndruar për disa vite I mbyllur vetëm se kishte shkruar një parullë lirie. Bodrume të errëta dhe kove me ujë ku u mbahej koka për torturë. Kështu kishte qenë ajo që quhej “Deutsche Demokratische Republik” apo Gjermania demokratike. Ironi apo jo që duket edhe nga emri? Historia e murit të Berlinit nuk është vetëm një histori triumfi e botës që ndau megjithatë shtetin tani ndër më socialët në botë dhe vendin ku matet çdo milimetër, e gram içdo gjëje dhe peshohet qoftë edhe çdo fjalë. U bën 30 vjet që kur atë të enjte njerëzit u lumturuan duke kapërcyer një nonsens total të prodhuar nga politika. Natyrisht që Gjermanisë dhe gjermanëve u duhej krijuar një katarzë dhe përballje më të shkuarën që ata, pavarësisht se proceset gjyqësore kundër nazistëve lënë për të dëshiruar më shumë se Gjykata e Hagës, por pranimi i fajësisë dhe informimi me krimet e Hitlerit ishte i domosdoshëm. Fate e fatkeqësi ka prodhuar politika gjithandej si në Shqipëri nga komunizmi dhe torturat e pafundme dhe për ata që nuk e dinë është e mjaftueshme të lexohet letra e shkodranit Mark Shllaku, e publikuar së fundmi në Shqipëri, e cila jep imtësi mbi ndjesinë e një njeriu që shtrydh njerëzillëkun më të madh në ato pak minuta të fundit kur “shokët e kanë da me e pushkatu”. Kështu ngjashëm ka bërë edhe Nicolae Ceaușescu, diktatori i Rumanisë, largimi i të cilit shënon po ashtu 30 vjetorin. Kam bërë një rrëfim të gjatë për 20 vjetorin e këtij revolucioni dhe kam ndjekur çdo detaj nga Temishuara ku ka nisur e deri ne Bukuresht. Ky shtet nuk ka bërë progres kolosal, por të paktën është në Bashkimin Evropian. Rënia e përgjakshme me mijëra të plagosur e qindra të vrarë i kushtoi diktatorit rumun me atentat bashkë me bashkëshorten, Elena Çaushesku.
Kështu ka ndodhur edhe Sllobodan Millosheviçi dhe gjithë kori ballkanik i paqeruajtësve dhe luftënxitësve që në fund prodhuan konflikte, fate të pafundme tragjike dhe mbi 100 mijë viktima. Ata që nuk kanë qenë kurrë në një hapësirë a vend ku ka ndodhur luftë direkte nuk e kanë idenë e këtyre sekondave kur njeriu nuk e di a do të mbijetoj apo vdes. Natyrisht se tani themi që duhet shkuar para dhe nuk duhet shikuar prapa.
Gjermanëve u kishte ndodhur Adolf Hitleri në atë kohë në Evropën e trazuar të inateve Perendimore që tani pasi kryesisht kishin hequr dorë nga kolonitë, kërkonin një rrugë të re mbisundimi. E thash që gjermanëve u ka ndodhur Hitleri qëllimisht pasi popujt u ndodhin diktatorët, vrasësit, gënjeshtarët, fashistët dhe nazistët. Popujt nuk lindin me ta, por faji i popullit është që të dëmshmit nuk i vërejnë dhe ndonjëherë me mos kuptimin e tyre u ndihmojnë. Natyrisht që as në të tjerët nuk përjashtohemi. Asnjë nga ne nuk lindim as të majtë e as të djathtë, as liberal, homofob e as shovinist. Liria që i kishte ardhur Evropës, kishte krijuar histori si ajo e djaloshit që jetonte përtej murit i izoluar që donte pak liri. Por, rënia e murit të Berlinit nuk ka nënkuptuar vetëm rrënimin e betonit të zymtë, por me vete ka patur një qëllim edhe politik, fundin e ndarjes dhe fillimin e një demokracie evropiane. Këtu ishte fundi i një sistemi dhe fundi i një lloj epoke Lindje-Perëndim. Tani për të mirë përmenden Franca dhe Gjermania. Gjermanëve ua kishin kthyer inatin dhe ata kishin kapituluar në të njëjtën kohë në të njëjtin vend si dikur. Por, Gjermania u rimëkëmb për më pak kohë se sa koha që ka kaluar që prej përfundimit të luftës dhe çdo konflikti të fundit të armatosur në Ballkan, edhe atë të Luginës së Preshevës edhe atë të Maqedonisë. Franca dhe Gjermania i janë kthyer riintegrimit shoqërorë mes tyre, si dy shoqëri janë shkëmbyer gati në tërësi, kanë investuar në projekte, njohje ekspertësh, kurse gjuhësh e ndihma të ndërsjella. Pra, ata e kishin marrë seriozisht ripajtimin. Gjermania si kryeqendra e fajësisë është sjellë me përultësi dhe qetësisht ka investuar shumë energji për një kontakt të ri me secilin vend. Pra vendeve dhe kombeve serioze që njihen për mani detajesh nuk mund tu ndodh dy herë Hitleri. Këtu dhe mbi këtë bazë të shëndosh të marrëdhënieve reale është ndërtuar Bashkimi Evropian. Kjo Evropë ka ndryshuar pas viteve 2000 me zgjërimin e unionit dhe humbjen e një qëllimi të përbashkët. Por, ky shembull natyrisht se është i vlefshëm dhe këtë e tregojnë gjithsesi rezultatet e zhvillimit të këtyre dy vendeve, pavarësisht protestave dhe kritikave.
Jugosllavia ka ekzistuar në disa versione. Mbretëria kishte rënë si shumica e mbretërive të vogla të asaj kohe dhe në front kishin dalë edhe partizanët të inspiruar nga komunistët. Të gjitha kombet që kanë përbërë Jugosllavinë kanë qenë të dyzuara. Serbët janë ndarë me partizanët dhe me grupet çetnike si ushtar të mbretit ose “Krajlit”. Ustashët, ballistët, qeveritë kolaboracioniste e kështu me radhë. E vetmja ide rajonale ka qenë komunizmi. Në federatë gjithmonë kanë ekzistuar grupe që nuk kanë qenë për bashkim-vëllazërim dhe më dekada është ndërtuar identiteti jugosllav. Në drejtimin e Titos megjithatë Jugosllavia ishte Zvicra e politikës. Edhe me Lindjen edhe me Perëndimin. Një avangardë komuniste ku publikohej edhe Playboy. Por, ne një shtet kulti ikonash, në kohën kur ra muri i Berlinit, disa shtete e kapën idenë. Thonë se kur është pyetur një politikan çekoslovak se si është ndarë ky shtet, përgjigja e tij ka qenë në “mënyrë shumë jojugosllave”. Por, më lehtë e kanë shtet kryesisht me një etni të madhe. Në kohën kur ra muri i Berlinit për qytetarët e Jugosllavisë ra zilja e fillimit të një epoke tmerresh. Përfundimin e dimë të gjithë. Në këtë kohë as Shqipëria nuk ishte mjaftueshëm e mençur pasi si në ëndërr flitet se i është ofruar një perspektivë evropiane që ne vitet e hershme.
Historia ka treguar se fshehja e të shkuarës është një problem që mbjellë dhunë dhe gjak. Krimet e Luftës së Dytë Botërore kanë qenë pretekst ose mbulesë e disave në luftërat e ish-Jugosllavisë. Përballja me to nuk nënkupton fajësimin e një ose dy popujve a më shumë, por nënkupton mundësinë e rregullimit të tij dhe krijimit të një vetëdije për të mirën dhe të keqen. Politikat dhe rezultatet. Problemi i Ballkanit është rutina jetësore dhe mungesa e saj ka krijuar një rutinë getoje, ku një gjysmë rrinë dhe nuk duan të jenë të përfshirë, një pjesë tjetër mendojnë se dikush larg e ka fajin. Një geto! Shtetet e ish-Jugosllavisë fatkeqësisht kanë ngjitur kockat në vende të gabuara dhe kështu kanë nisur idenë drejt ndryshimeve, kurse rezultati i luftërave i ka sjellë sërish në biseda e diskutime për të arritur aty diku si para se të ndodhin frakturat. Politika ka arritur të krijojë gjithçka që pak kujt do ti shkonte mendja dhe ka sjellë deri tek një miks interesant që vështirë kuptohet. Kur përmenden nisma rajonale si “Mini-Schengeni Ballkanik” natyrisht nxehen gjakrat. Kur përmenden zgjidhjet, popujt, emrat po ashtu. Kjo nuk është një histori njerëzish idhnak gjithë kohën, por është rrjedhojë dhe pasojë e veprimeve të politikës kundrejt kësaj force. Pra fizikë e thjeshtë. Gjithë ajo dhimbje dhe jetë kurrë pa u rehatu i ka sjellë ballkanasit të mos i besojnë askujt. E dinë ata që vidhen votat, që ka korrupsion, që ka nepotizëm, që nuk ka shërbime, që nuk ka lekë e dinar, e dinë shumë mirë që të duhen lidhje. Por, gjithsesi një pjesë e madhe nuk i besojnë politikës dhe në secilin vend ka të pa vendosur më shumë se sa që partitë politike marrin vota. Shumë konflikte të hapura nëse shohim edhe shembullin e shqiptarëve dhe serbëve, ata të zjarrtit gjithnjë e më shumë janë më pakicë për shkak se e gjitha çfarë kanë marrë qytetarët kanë qenë fjalë. Fajin nuk e ka këtu asnjë nga emrat e përveçëm që janë në qeverisje, por të gjithë ne së bashku që i kemi ndihmuar ose kush ka qenë pro kësaj ngjitje të keqe. “Liritë tona”, pas luftërave në Ballkan, nuk kanë patur përveç vetë idesë fizike shpesh ndonjë kuptim politik dhe mbi të gjitha qëllim si ai i murit të Berlinit. Në të gjithë rajonin nuk ka patur mungesë idesh për zgjidhjen e problemeve qoftë në mes të Kosovës dhe Serbisë, qoftë në mes të vendeve të rajonit. Por, ka munguar natyrisht vullneti politik.
Zgjidhja e problemeve politike dhe sqarimi i pozitave dhe të drejtave natyrisht se nuk mund të bëhet pa politikën. Një pikë ku qëndron bashkëpunimi rajonal është se kjo gjithmonë duhet përshëndetur. Por, ka të bëjë me formën dhe forma e mundëson ose pamundëson pranueshmërinë e një gjëje. Për shembull kërkim falja nëse bëhet me çfarë tonesh, me çfarë sqarimesh e mbi çfarë faktesh bëhet? Nëse është me tone mohuese a është e mjaftueshme? Për shembull edhe ftesa në një event dallon nga forma nëse jeni i ftuar vetëm Ju, me plus një person, me ftesë të shtypur, të përgjithshme apo të personalizuar, në adresë apo në email? Natyrisht ngritja e tensioneve, që për ironi përkon gati në të njëjtën kohë me përvjetorin e murit të Berlinit, është e pritshme kur flitet për një bashkëpunim rajonal. E frikshme duket pasi për shumë njerëz krijohet përshtypja që pas refuzimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë veriore se më nuk ka shpresa për BE-në. Logjikshëm mendohet si dhomë pritje derisa të futen në sallën kryesore. Natyrisht e gjithë ideja e Bashkimit Evropian, të paktën deri kohëve të fundit, ka qenë që të mos ketë kufij dhe barriera, por të ketë integrim dhe ndarje të disa ndjesive të përbashkëta mbi realitetin, organizimin shoqërorë, shtetin dhe si të përbashkët në vlera demokratike dhe barazi. Kjo pjesë e ngelur e Ballkanit jashtë BE-së është pjesë pikëpyetjesh dhe kjo është arsyeja përse nuk janë bërë deri më tani pjesë e unionit. Qytetarët nuk besojnë tek politika pasi një pjesë e madhe janë të bindur se politikanët gati kurrë nuk i kanë shërbyer shtetit, por disi gjithmonë shteti atyre. Kjo që arsyeja që shumë në Kosovë votuan për Albin Kurtin. Stërzgjatja e konflikteve ka sjellë deri tek nevoja për një ngjarje të re. Pas shtrimit të autostradave politika pjesërisht e ka kuptuar që më nuk janë të animuar. Njerëzit kanë nisur të ikin dhe asgjë më shumë nuk e ulë pazarin se sa një ndjesi e përgjithshme e ikjes. Mungesa e lëvizjeve të mëdha ekonomike i mbanë këta qytetarë me paga më pak se minimali i ndihmës sociale në çdo shtet të BE-së, për të cilat ata shumë herë punojnë në të zezë.
Ajo që i mbanë peng këto vende është mungesa e dialogut dhe këtu nuk e kam fjalën për “watch partyt” në facebook të gjithë rajonit në orën 20:00, por për një analizë publike të atyre që duan të arrijnë sukses në zhvillimin rajonal për shkak se është e vështirë natyrshëm pa rregullimin e orendive të jetohet në një shtëpi. Jam shumë i bindur se ne si rajon kemi një problem sociologjik dhe të gjitha problemet tona e kanë gjenezën tek mungesa e q mungesa e qëllimit. Tani le ta provojmë.
Ballkani padyshim ka vështirësi në qarkullim. Për shumicën e këtyre vendeve që flet politika, të paktën një herë e kam kaluar kufirin në çdo vend nëse jo edhe dhjetëra. Të gjitha statistikat tmerruese me qindra mijëra orë janë të vërteta, por edhe pyetjet dhe problemet e ndryshme. Disa herë më është dashur të kthehem nëpër kufij për shkak të ndryshimit të rregullave edhe pse e konsideroj se jam mjaftueshëm i informuar. Por, shumica e këtyre barrierave janë krijuar nga politika dhe politika është e vetmja që që mund ti zgjidh. Mund të ketë autostrada mes shtetesh, hekurudha të shpejta që për 2-3 orë të arrihet në çdo kryeqendër, të mos ketë nevojë për letra shtesë, viza, pengesa, heqje targash, të lirohet hapësira ajrore dhe të vendoset linjë ajrore Prishtinë-Beograd, të mos ketë shovinizëm në sport, kulturë, parlament, televizion, tituj gazetash, të mos sulmohen pakicat me thika dhe të ketë treg të lirë. Këto janë gjërat për të cilat është diskutuar me decenie dhe për këto ka patur mosmarrëveshje. Nuk dua të rreshtoj ngjarjet politike dhe përmendjen e luftës e konfliktet fundjavore, por sigurisht as marrëveshjet politike në Bruksel. Problemi i shprehjes së dyshimit vjen për shkak se qytetarët e këtushëm nuk janë mësuar që politika ta çoj një projekt deri në fund. Nëse politika e ka me tërë mend, e sqaron se a nënkupton kjo një barazi totale mes këtyre shteteve? Mund të heq Bosnja pengesat e udhëtimit për Kosovën dhe Kosova vizat për Bosnjën? Mund të udhëtohet nga të duan pa asnjë lloj pengese pavarësisht se kush e si i quan kufijtë? Mund të ketë marrëveshje për hapësirën ajrorë Kosovë-Serbi? Mund të pranohen diplomat pa nostrifikim, por me vërtetësi nga shteti amë? Mund të importohen të gjitha mallrat në secilin vend dhe nga secili vend pavarësisht se çfarë shkruan në to? Mund të mos flitet me emra pezhorativ? Mund të bëhet apel për bashkëjetesë dhe premtim të zbardhjes së fatit të njerëzve të çdo etnie? Është e natyrshme që njerëzit frikësohen pasi ata kanë frikë sepse ende flitet për luftë. Nuk duhet ndalur askënd që dëshiron të bej kthesë historike dhe duhet mbështetur. Por, të gjitha vendet e rajonit kanë nevojë për ndërprerje të getoizimit dhe kjo mund të arrihet vetëm me qasje serioze dhe ndjesi për hendekun e madh që bartë sarkofagu i së shkuarës së afërt. Kush i tregon këtyre qytetarëve se politikanët edhe mund të zbresin në tokë do ta ketë vendin në histori. Njerëzit hanë më pak tash nacionalizëm pasi e kanë kuptuar sa është sahati. Për politikan i mendojnë diku atje me makina të zeza nëpër takime dhe kanë nevojë për zgjidhje. Por nuk duan të kenë gjithmonë fillime të reja sepse janë të etur ta shohin rezultatin. Nëse BE-ja është e ardhmja atëherë le të jetë ky dhe fokusi. Nëse ripajtimi është primarë a mund të bëhet kjo? Një jetë më e mirë apo një izolim më I madh rajonal? Fundja çdo sistem politik udhëheq në emër “të mirë qeverisjes dhe për popullin”, edhe diktaturat edhe demokracia. Ky më nuk mjafton si argument. Por, këtu vërtetë është e nevojshme të bie muri i Berlinit, pra muri i barabartë me demokracinë dhe i llogaritur si fundi i një dhimbje me arsye të pakuptimta. Nuk ka rëndësi që jemi 30 vjet vonesë nëse muri vërtetë bie.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)