Bujar KURTAJ
Shkup, 26 korrik – Pas eliminimit të Daçias së Moldavisë dhe HJK Helsinkit të Finlandës, skuadra e Shkëndijës ka vazhduar edhe gjatë ditës së djeshme përgatitjet për ndeshjen e turit të tretë eliminator në Liga Evropë ku për kundërshtar do të ketë skuadrën e Trakai nga Lituania.
Kuqezinjtë mëngjesin e sotëm 01.50 me fluturim Çarter janë nisur për në Lituani ndërsa në mbrëmje 19.30 do të realizojë stërvitjen zyrtare në stadiumin ku do të zhvillohet ndeshja.
Ndryshe, me ekspeditën në Lituani ka udhëtuar edhe Mevlan Murati, i cili rikthehet pas lëndimit, dhe që nuk i lejoi atij të luajë në ndeshjen kthyese me Helsinkin. Kujtojmë, mbrojtësi i krahut lëndoi këmbën e majtë në ndeshjen e parë në Finlandë dhe vetëm pas 25-minutave lojë u detyra të largohet nga loja.
“Për fat të mirë gjithçka ka kaluar dhe tani më ndjehem shumë mirë falë stafit mjekësor që punuan shumë për të më kthyer sa më shpejt. Jam 100 për qind gati dhe i përgatitur për të qenë në shërbim të ekipit. Sigurisht që jam i gatshëm të luaj, pasi dy ditët e fundit kam punuar me ekipin me intensitet maksimal. Ndjehem i përgatitur në maksimum në aspekt fizik dhe psikik, por nëse do të luaj varet nga vendimi i stafit teknik. Unë respektoj si do që të vendos trajneri, pasi ne të gjithë jemi në shërbim të ekipit”, shprehet për gazetën KOHA, mbrojtësi i krahut.
Ai thotë se në Lituani shkojnë për të dhënë më të mirën nga vetja dhe për të arritur rezultat pozitiv që në ndeshjen e parë.
“Shkojmë për të dhënë më të mirën nga vetja që të kërkojmë rezultat pozitivi që në ndeshjen e parë, për të bërë takimin e kthimit më të lehtë në aspekt të presionit të rezultatit. Do të jetë ndeshje e vështirë, pasi po flasim për raundin e tretë të eliminatoreve të Liga Evropës dhe nëse rivali ka arritur këtu nënkupton se ka cilësi. Kemi analizuar kundërshtarin këto ditë dhe e kemi të qartë se bëhet fjalë ekip kualitativ. Ne hyjmë për të dhënë më të mirën nga vetja për të kërkuar rezultat të favorshëm që në ndeshjen e parë”, përfundoi Murati.
Ndeshja ndërmjet Trakait dhe Shkëndijës do të zhvillohet të enjten me fillim në ora 18.30.