Moskë, 29 shtator – Ministri rus i Shëndetësisë, Mihail Murashko deklaroi sot se në kuadër të testimit të vaksinës “Sputnik V”, në klinikat e Moskës janë vaksinuar më shumë se 5.500 njerëz.
“Faza e testimit pas regjistrimit është në proces”, tha Murashko në një takim me presidentin Vladimir Putin dhe anëtarët e Qeverisë ruse, transmeton Tass.
Rusia regjistroi vaksinën e parë në botë kundër koronavirusit të ri më 11 gusht. Vaksina u zhvillua nga Qendra kombëtare e kërkimit “Gamaleja” për epidemiologji dhe mikrobiologji të Ministrisë ruse të Shëndetësisë dhe egzaminimet e saj klinike u përfunduan me sukses në qershor dhe korrik.
Vaksina është përpunuar mbi një platformë të përdorur për një sërë vaksinash të tjera. Sipas Ministrisë ruse të Shëndetësisë, këto vaksina kanë dëshmuar aftësinë e tyre për të ndërtuar imunitet të qëndrueshëm deri në dy vjet.
Mediat ruse raportojnë se dy vaksina të tjera të koronavirusit janë aktualisht në fazë të provave klinike në vend.