Patriot LUMANI
Strugë,17 shkurt – Për t’i evituar sherret ndërmjet nxënësve dy shkollat e mesme të Strugës që deri pakë kohë ndanin të njëjtin oborr të njëjtin tashmë e kanë ndarë, duke ndërtuar një mur, shkruan gazeta KOHA. Xheladin Muça, drejtor i shkollës së mesme “Ibrahim Temo” potencon se ky hap u ndërmor në funksion të parandalimit të sherreve ndërmjet nxënësve të dy shkollave. Ai shton se në të dy shkollat e Strugës mësimin e ndjekin rreth 2 mijë nxënës dhe herë pas herë ndodhin sherre ndërmjet nxënësve të dy shkollave. Muça saktëson se të dy shkollat vendosën për këtë hap në mënyrë që të minimizonin rastet e sherreve dhe përplasjeve ndërmjet nxënësve. “Përveç ndërtimit të murit, tashmë prej kohësh ne kemi kërkuar dhe prezencën e policisë në mënyrë që përplasjet dhe sherret të minimizohen”, përfundon ai.
Ndërkohë, edhe zëvendësdrejtori i shkollës së mesme profesionale “Niko Nestor”, Arbër Lloga nënvizon se ndarja me mur e oborrit nga ana e dy shkollave të mesme ishte një veprim i domosdoshëm, sepse në masë të madhe reduktoi përplasjet dhe sherret ndërmjet nxënësve. Sherret e përsëritura dhe përplasjet fizike që ndodhin në afërsi të shkollave të mesme të Strugës ku në të shumtën e rasteve e kanë pësuar nxënësit kanë ngritur shqetësimin se në afërsi të shkollave është e domosdoshme prania e patrullave të policisë. Drejtori i shkollës “Ibrahim Temo”, Xheladin Muça në një prononcim për gazetën KOHA potencon se tashmë pas rrethimit të shkollave dhe vendosjes së sistemit të kontrollit dhe verifikimit, në të shumtën e rasteve sherret ndodhin jashtë oborrit të shkollës ku persona që nuk kanë asnjë lidhje me shkollën bëhen shkaktar të konflikteve dhe ekseseve. Në shkollat e mesme të Strugës “Niko Nestor” dhe “Ibraim Temo” para disa viteve u realizua projekti për rrethimin e oborreve, investim ky i mbështetur nga agjencioni amerikan USAID, në vlerën e rreth dyqind e pesëdhjetë mijë dollarëve. Me këtë investim u vendos rregull dhe një kontroll më i madh për hyrje daljet në to, me një sistem modern të vëzhgimit dhe kontrollimit me kamera, i cili jep më shumë informacion për gjithë hyrje daljet në shkolla si dhe lokalizon të gjithë që janë pjesë e konflikteve dhe problemeve. Shkollat e mesme të Strugës për një kohë të gjatë ishin në qendër të vëmendjes për shkak të problemeve dhe zënkave ndërnacionale ndërmjet nxënësve shqiptar dhe atyre maqedonas si dhe për kërkesën e prindërve dhe nxënësve maqedonas, të cilit kërkonin me çdo kusht turne etnike në këtë shkollë, kërkesë që u kundërshtuan fort nga profesorët dhe prindërit shqiptarë si dhe nga autoritetet vendore të komunës dhe nga komuniteti ndërkombëtar.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.