Një lëvizje e papritur, por që do të ketë ndikim të madh në panoramën e futbollit në Europë. Filipe Kutinjo pritet të zyrtarizohet të hënën si futbollisti më i ri i Bajern Mynih. Klubet kanë arritur një akord dhe vetë futbollisti është gati të transferohet në Gjermani ku e presin për vizitat mjekësore të rastit.
Sipas mediave spanjolle, akordi mes palëve është për një huazim deri në fund të sezonit me të drejtën e blerjes përfundimtare të kartonit të tij. Një marrëveshje që ndihmon disi të dy palët pasi Barcelona shpëton nga rroga e rëndë e futbollistit në pritje të sistemit të tij përfundimtar pasi për Valverde ai është i tepërt në klub. Ndërsa Bajerni gjen një lojtar i cili bën të ndjehet më pak mungesa e krijimtarisë së Riberi e Roben që e mbyllën me këtë klub.
Kutinjo është lënë jashtë listës së skuadrës për ndeshjen ndaj Atletiko Bilbao, ndërsa pritet që të dielën të udhëtojë drejt Mynihut për të kryer atje vizitat mjekësore. Nuk dihet se si do të shkojnë në këtë pikë negociatat me PSG për Nejmar, pasi Kutinjo ishte “malli më i vlefshëm” i shkëmbimit. Në Gjermani ndërkohë nuk dinë ende se si do të reagojë skuadra për këtë afrim, pasi ai do të jetë menjëherë lojtari më i paguar në klub me 11 milionë euro në vit, 1 më shumë se Levandovski i cili pas shumë negociatash arriti deri në 10 milionë euro në vit.