Urim HASIPI
Tetovë, 21 mars – Dita Botërore e Sindromit Down – 21 marsi, në Maqedoni është shënuar me një sërë aktivitetesh. Edhe në Tetovë kjo ditë është shënuar në shkollën Liria në organizim të shoqatës Handimak dhe Klubit të Atletikës “Studenti”, shkruan gazeta KOHA. Sipas drejtuesve të këtyre shoqatave, institucionet e shtetit shumë pak kanë bërë për përkujdesjen ndaj këtyre personave. Ata thonë se ende nuk ka statistikë se sa persona ka në Tetovë që kanë këtë dinromë, ndërsa sipas tyre, numri i fëmijëve me Down është në rritje e sipër.
“Është për të ardhur keq nuk ka ndonjë statistikë, mirëpo ajo që mund të vërehet është se ky numër dita-ditës po rritet, arsyet mund të jenë nga më të ndryshmet ndërsa fjalën e fundit mund ta thonë ekspertët e kësaj fushe. Mirëpo ne, atë e shohim si një dukuri që është një proces në rritje, përkundër faktit që institucionet tona qoftë ato të nivelit lokal qoftë qendror akoma nuk kanë marrë masa konkrete se si ti qasen zgjidhjes së këtij problemi”, tha Adem Idrizi, nga shoqata Handimak. Ndërkohë, Bexhet Toçi nga Klubi i Atletikës “Studenti” thotë se institucionet nuk bëjnë asgjë.
“Kur flitet për institucionet, mund të them se nuk bëjnë asgjë. Ne punojmë si Fakultet i Kulturës Fizike, kemi në projektin tonë plan-programin për edukimin fizik të fëmijëve me nevoja të posaçme, sepse e vërtetuar edhe me disa punime shkencore, këta fëmijë kanë një besim shumë të madh dhe bëjnë dallimin nga fëmijët e tjerë, të cilët nuk merren me aktivitete sportive. Socializimi i këtyre është në nivel të duhur, pra ndihmon shëndetin, mirëqenien, mosmarrjen e medikamenteve mjekësore dhe rezultatet janë evidente, dhe këto fëmijë janë gati si gjithë të tjerët për arsye se edukimi fizik dhe shëndetësor i ndihmon mjaft”, tha Toçi.
Sipas këtyre shoqatave, shteti duhet që të ketë më shumë kujdes për këtë kategori të fëmijëve dhe qytetarëve. “Edhe përkundër paralajmërimeve të reformave të ministrisë, akoma jemi në fazën e pritjes ku shpresojmë që në të ardhmen – do të ketë iniciativa më konkrete dhe një qasje më serioze në ballafaqimin me problemet të cilat janë peng i vetëm familjeve dhe askush nuk merret me ata. Një numër i shoqatave mundohen që në një formë të merren me këtë problematikë, mirëpo është e pamjaftueshme”, deklaroi Idrizi. Përndryshe, në sallën e sportit janë mbajtur aktivitete për të shënuar këtë ditë ndërkombëtare, ndërsa sipas klubit të atletikës “Studenti”, ata çdo javë organizojnë aktivitete të këtilla.
“Ne punojmë çdo javë dhe çdo ditë, dy herë në javë kemi stërvitje me fëmijët që janë me nevoja të veçanta, ndërsa bëjmë aktivitete sportive të cilat ndihmojnë që këta njerëz dhe këta fëmijë si gjithë të tjerët të kënaqen me ato aktivitetet fizike që organizojmë ne. Qëllimi është të jenë më të shëndetshëm si dhe të kenë ndërveprim social me shokët dhe shoqet e tyre, pra ne punojmë edhe në aspektin inkluziv duke i aktivizuar këto fëmijë në gara të atletikës dhe basketbollit, ku jemi pjesëmarrës edhe në Kids Atheltics Macedonia, e cila ka një projekt për aktivizimin e këtyre fëmijëve që të ecin vrapojnë si të gjithë fëmijët e tjerë”, tha Bexhet Toçi nga Klubi i Atletikës “Studenti”. (koha.mk)