Laura PAPPRANIKU
Shkup, 13 tetor – Dhjetëra këshilltarë pedagogjik pritet t’i shtohen Byrosë për Zhvillimin e Arsimit nga viti i ardhshëm, si tregues i qasjeve të reja në krijimin e politikave arsimore, shkruan gazeta KOHA. Drejtuesi i këtij institucioni, Rizvan Bela, i cili ka kërkuar nga ministri i Financave, Dragan Tevdovski ,që të lejohen 60 punësime të reja, thotë se do të ishte i kënaqur sikur të kishte siguruar vetëm edhe gjysmën e atyre vendeve, pasi për momentin – BZHA ballafaqohet jo vetëm me numër të vogël të këshilltarëve, por edhe me shumë mungesa kadrovike të profile të ndryshme. “Në buxhetin e BZHA-së për vitin e ardhshëm kemi planifikuar punësime të reja, me qëllim të zhvillimit profesional të BZHA-së. Shumica dërmuese e këtyre vendeve janë për këshilltarë pedagogjik në lëndë të ndryshme mësimore”, pohon për KOHA Bela.
Ndërkaq, në përpjekje për të ndryshuar situatën, thotë se kanë shkuar me kërkesa maksimale, sa i takon vendeve të reja të punës. “Kemi shkuar me kërkesë maksimale, pasi 60 është numri në përgjithësi i të gjithë të punësuarve për të cilët kemi nevojë. Prandaj, për fillim do të insistojmë të na sigurohet të paktën gjysma e atyre vendeve të punës”, plotëson ai, duke shprehur habinë se si institucionet duhet të bëjnë në Ministrinë e Financave kërkesa deri edhe për lejimin e të atyre vendeve të punës, të cilat nuk janë të reja, por që mbesin të lira pas pensionimit ose pasi dikush mund ta ketë braktisur punën për arsye të ndryshme.
“Do të kërkoj në të ardhmen nga deputetët, të cilët i kemi në Parlament që të iniciojnë ndryshimet e Ligjit në atë pikë, pasi nuk ka kuptim që për vende punë të cilat nuk janë të reja, të bëhen kërkesa njëlloj si të ishin vende të reja pune”, plotëson ai. Nga punësimi i këshilltarëve pedagogjik, që në bazë të pritjeve optimale mund të jenë rreth 25 nga viti i ardhshëm, drejtori Bela thotë se punësimet do të shkojnë para së gjithash në favor të shqiptarëve. Konkretisht do të duhet të punësohen shumë këshilltarë pedagogjik për lëndët të ndryshme në gjuhën shqipe, pasi ka mungesa të theksuara, sidomos në repartin e këshilltarëve shqiptarë. Për momentin, në nivel të gjithë Maqedonisë janë vetëm 12 këshilltarë shqiptarë për të gjitha nivelet dhe lëndët mësimore, ndërsa në përgjithësi janë 54 të tillë. Sakaq, 24 lëndë mësimore, në nivel shteti, nuk janë të mbuluara aspak me këshilltarë. Pra, mungojnë këshilltarë të shumtë, po të llogarisim edhe në faktin se për një lëndë nevojiten të paktën nga dy-tre e më shumë këshilltarë.
Drejtori Bela thotë se përfaqësimi i shqiptarëve është shumë i dobët në nivel të institucionit të BZHA-së. “Në nivel shteti, në BZHA-së jemi rreth 10 për qind shqiptarë. Është po ashtu i dobët përfaqësimi i shqiptarëve në nivel të qytetit të Shkup. Marrë në përgjithësi, na mungojnë këshilltarë të shumë lëndëve, jo vetëm në një-dy lëndë”, tregon ai.
Prandaj, konsideron se me punësimet e reja do të përmirësohet edhe përfaqësimi i këshilltarëve shqiptarë në të gjitha nivelet. Në vijë të politikave zhvillimore të BZHA-së me këshilltarë pedagogjik, ka një disponim pozitiv edhe nga ministria Deskovska, e cila gjatë takimeve me përfaqësues të mësimdhënësve dhe Plenumit të profesorëve, ka pasur rastin të dëgjojë kërkesa për nevojën e vizitave të këshilltarëve pedagogjik nëpër shkolla. Por, përtej kësaj, Bela thotë se BZHA është institucion i pavarur, ka buxhet të tijin dhe nuk ka përse të MASH të përzihet në çështjen e punësimit të këshilltarëve nëse BZHA arrin të sigurojë vendet e reja të punës. Roli i tyre në zhvillimin e procesit edukativo arsimor dhe në rritjen e cilësisë së arsim është i madh. Për këtë, ai thotë se gjëja e parë të cilën e ka kërkuar nga të punësuarit në BZHA është bërja e dallimit mes këshilltarëve dhe inspektorëve të arsimit.
“Që në takimin e parë të kolegjiumit kam kërkuar ta kenë të qartë se kush janë rolet e këshilltarëve dhe kush të inspektorëve. Kam kërkuar që përfaqësuesit e BZHA-së, të cilët do të vizitojnë shkollat të paraqiten dhe të sillen si këshilltarë pedagogjik, duke u ardhur në ndihmë mësimdhënësve. Pra, të mos sillen në shkollë si të ishin inspektorë, pasi shkollat nuk kanë përse të frikësohen nga këshilltarët”. Ata, plotëson më tej Bela, janë që t’u vinë në ndihmë mësimdhënësve dhe shkollave për të përballuar sa më lehtë sfidat në metodat e mësimdhënies.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.